Faza e fundit e kampionatit në Abissnet Superiore ka ndezur garën mes skuadrave pretendente për t’i shkuar deri në fund misionit titull.
Kështu, Elbasani i cili deri më tani në këtë sezon ka shfaqur rendiment të vazhdueshëm duke mos iu ndarë Vllaznisë, me të dyja skuadrat që ndajnë të njëjtin numër pikësh, me nga 53 për secilën.
Ndaj, edhe elbasanllinjtë janë të gatshëm të mbeten “të përgatitur” për marshin final. Klubi së fundmi ka caktuar dhe një miqësore pasi ndeshjet Kombëtare të përfundojnë, duke zgjedhur si kundërshtarë Skënderbeun kryesues të Kategorisë së Parë.
Të besuarit e trajnerit Ivan Gvozdenovic besojnë se ky është momenti i duhur për të “karikuar motorët”, ndaj një gjendje fizike optimale e futbollistëve do t’i shërbente skuadrës të zbresë në ndeshjet e mbetura të Superiores më të motivuar se kurrë.
Kujtojmë që si Elbasani ashtu dhe Skënderbeu luftojnë për të dalë me trofe në kategoritë respektive në fund të sezonit.
