Teuta po bën mjaft mirë në këtë start kampionati. Pavarësisht se javët e para kishte kalendar të vështirë përballë ekipeve si Partizani, Vora, Dinamo dhe Vllaznia, “Djemtë e Detit” nuk kanë humbur asnjë prej këtyre dueleve.
Në 4 javët e para, durrsakët kanë grumbulluar 5 pikë, duke treguar formën e mirë që po kalojnë. Ndërkohë që për këtë moment pozitiv, ka folur edhe kapiteni i ekipit, Blerim Kotobelli.
Në një intervsitë të dhënë për “Newsport.al”, mbrojtësi 33-vjeçar tregon atmosferën në ekip, por edhe synimin madhor, që është titulli kampion. Gjithashtu, Kotobelli është ndalur tek karriera e tij, duke theksuar se do të dëshironte ta mbyllte si futbollist i Teutës.
Rezultate pozitive në këtë start kampionati, mendoni se kjo është Teuta e vërtetë apo kemi akoma për të parë?
Starti ka qenë i mirë, por unë mendoj se Teuta ka ende shumë për të treguar. Jemi në një fazë ndërtimi dhe çdo javë po përmirësohemi. Kështu që, tifzoët do të shohin nëj skuadër edhe më të fortë gjatë javëve në vazhdim.
Kalendar i fortë në javët e para, por asnjë humbje. Si ka ndikuar ky moment pozitiv në psikologjinë e lojtarëve të skuadrës?
Është e vërtetë që kalendari ka qenë i vështirë, por fakti që nuk kemi humbur na ka dhënë shumë besim. Atmosfera në dhomat e zhveshjes është pozitive. Lojtarët besojnë tek njëri-tjetri dhe tek stafi. Sigurisht që ky është një motivim shtesë për të ardhmen.
Ju pret një transfertë e vështirë në Elbasan përballë kryesuesve, çfarë qasje do të keni për këtë sfidë?
E dimë që në Elbasan na pret një sfidë shumë e fortë. Përballë kemi një skuadër që kryeson kampionatin. Do të futemi në fushë me respekt për kundërshtarin, por edhe me bindjen se mund të marrim rezultat pozitiv, nëse japim maksimumin.
Si po ju duken afrimet e reja në ekip, pasi janë edhe në numër të madh. E kanë pasur të lehtë ambientimin?
Lojtarët e rinj janë përshtatur shumë shpejt. Shumica kanë eksperiencë dhe e dinë si funksionon futbolli. Grupi i ka pritur shumë mirë dhe tashmë shihen si pjesë e pandashme e skuadrës sonë.
Sa besim keni për titullin kampion, a mund të arrihet një synim kaq madhor nga Teuta e “rindërtuar”?
Titulli është gjithmonë një objektiv madhor. Nuk është e lehtë, sepse kampionati është i fortë. Por me punë dhe me këtë frymë qe kemi momentalisht, unë besoj se gjithçka është e mundur. Çdo ndeshje do ta marrim hap pas hapi.
Dhe e fundit, karriera e juaj. Në një të ardhme të largët apo të afërt, në cilin ekip mendoni ta mbyllni karrierën, pasi dukeni shumë i lidhur me Teutën?
Unë jam shumë i lidhur me Teutën. Është klubi i qytetit tim dhe ka një vend të veçantë në zemrën time. Nëse do të kem mundësinë, normalisht që do të doja ta mbyllja karrierën këtu, sepse padyshim do të ishte një nder tepër i madh edhe për mua.
