Abissnet Superiore rezervon atë çfarë mund të quhet me plot bindje “sfidën e sfidave”. Në javën e 33-të të kampionatit do të luhet derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, e planifikuar për t’u zhvilluar në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00.
Prag këtij dueli që pritet të mbërthejë teleshikuesit, qoftë në stadium dhe ata përballë ekranit, ka folur edhe ish-i i bardhebluve, Saimir Patushi.
Patushi, jemi në javën e derbit Tirana-Partizani. Si e përjetoni ju këtë përballje si një ish bardheblu?
“I kam përjetuar të dyja kampet, por më vjen keq se si vijnë të dyja ekipet me luhatje mjerane, por më vjen keq se si renditet Tirana pasi Partizani është komod.”
Derbi me Dinamon përfundoi në barazim. Çfarë formule duhet ndjekur që të vijë fitorja përballë rivalit të përjeshtëm?
“Derbi me Dinamon unë besoj se ishte zemërgjerësia e Bregut dhe gabimet amatoreske të mbrojtësit Cortes, por që të fitosh një derbi përballë një rivali të përjetshëm duhet një grup i soliduar pa mendjemëdhenj dhe shumë ushtarë dhe ta konsiderojnë në thonjëza luftë.”
Tirana këtë sezon ka ndërruar tre trajner: Bordin, Nuhiu dhe tani me Shehin. A mund të vijë kthesa me këtë të në stol dhe si?
“Kjo që bën Tirana është për Guiness që ekipi që formohet nuk është në sinkron të një trajneri, por kapriço e presidentit që thotë: I di unë të gjitha, me menaxher, trajner dhe drejtor. Bordin dhe Nuhiun unë si lija të trajnonin lagjet se nuk e kishin idenë se çfarë kërkon Tirana, kur Shehi ka stofe tjetër që për këto javë ka grumbulluar më shumë pikë sesa paardhësit, gjë që dora e trajnerit duket, prandaj bëhen gjërat në fillim të sezonit: president-trajner-drejtor, bashkëpunim si gjithë bota.”
Cila pikë e dobët e Partizanit duhet shfrytëzuar nga bardheblutë për t’i marrë tri pikët?
“Javët e fundit kam parë një Partizan të lodhur, jo atë ekip që kishte në fillim kur e mori Kërnaja që ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Mbase Tirana duhet të bëjë presion të lartë.”
Ndeshjet e fundit për t’i shpëtuar rënies, kush prej lojtarëve mendon se do bëhet vendimtar për këtë objektiv?
“Të them të vërtetën, me repertorin ose finesën që ka Xhixha, besoj ai do jetë çelësi i suksesit te Tirana.”
Duke parë garën e fortë për qëndrimin, do ia dalë Tirana të mbetet pjesë e elitës?
“Nëse Tirana do i mungojë Superligës do ishte vrastare për futbollin shqiptar. Duhet një sforco e madhe për t’ia dalë.”
