Oltijon Kërnaja është në qendër të vëmendjes për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen Partizani – Vllaznia, përfunduar në shifrat 0 – 2. Trajneri tropojan u ndëshkua dy herë me karton të verdhë nga gjyqtari Juxhin Xhaja duke i lënë të gjithë të shtangur.
Askush nuk e kuptoi pse ai vendim i arbitrit të kolegjiumit të Tiranës brenda disa sekondash, ndërsa Newsport.al ka arritur të mësojë debatin e shkurtër verbal mes palëve.
Fillimisht ka qenë Kërnaja ai që ka protestuar kundrejt disa vendimeve të kryesorit, ndërsa ky i fundit mësohet t’i ketë thënë: “Pusho se të jap tjetrin të verdhë”.
Burime nga stafi i Partizanit bëjnë me dije që në atë moment, në nerva e sipër, Kërnaja i është shprehur: “Nëse kënaqesh, jepe dhe të dytin”. Kaq ka mjaftuar dhe menjëherë nga xhepi i Xhajës ka dalë kartoni i verdhë.
Kujtojmë që Partizani do të luajë këtë javë me Elbasanin, në kuadër të javës së 31-të të Superiores, ndërsa në pankinë do të mungojë trajneri Kërnaja.
