Dinamo do të zbresë në fushë të premten (nesër) përballë Vorës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 8-të të Kategorisë Superiore.
"Blutë" kërkojnë të rikthehen te fitorja pas barazimit të fundit, por sfida nuk pritet të jetë e lehtë, duke pasur parasysh momentin pozitiv që po kalojnë vorakët, sidomos pas triumfit ndaj Elbasanit.
Skuadra e Dajës do të ketë disa mungesa të rëndësishme në këtë përballje. Lorran do të mungojë për shkak të kartonit të kuq që mori ndaj Egnatias, ndërsa Gassama Karamba është jashtë për shkak të një dëmtimi në stërvitje.
Në vend të tij, pritet të aktivizohet nga e majta Faton Neziri, ndërkohë që Klevi Qefalija mund të rikthehet si titullar në mesfushë.
Pjesa tjetër e skuadrës është në gjendje optimale, dhe stafi teknik mund të rezervojë disa surpriza në formacion. Dinamo kërkon të shfrytëzojë këtë ndeshje për të rimarrë ritmin në kampionat dhe për të rifituar besimin pas dy javësh pa fitore.
