
Vllaznia do ta nisë në shtëpi sezonin e ri të Superiores. Shkodranët do të presin në “Loro Boriçi” Egnatian për të bërë mes tyre llogaritë e javës së parë të kampionatit.
Dhe siç e do tradita, një ditë para ndeshjes ka folur Edi Martini. Shkodrani ka analizuar këtë përballje, ndërsa ka folur edhe për merkaton, rivalitetin dhe aventurën e kuqebluve në Conference League.
“Ne jemi gati për të filluar kampionatin dhe normal kemi entuziasëm dhe besim. Natyrisht që kemi mundësi edhe për pak kohë për të rifituar lojtarët e dëmtuar, ata djem që do fillojnë lojën janë gati, kemi besim që do fitojmë. Do japim 100% tonë, e njohim Egnatian, por jam i bindur se djemtë janë të karikuar dhe besoj që do tja dalim. Kjo është Vllaznia që unë kam kërkuar, do kisha dëshirë që disa lojtarë ti kisha për në Europë por tani kanë ikur.
Pritshmëritë janë të mëdha dhe jam i bindur që do të bëjmë një kampionat shumë të mirë. Jam i kënaqur me të gjithë që kanë ardhur por nuk mund të jap emra. Gjithsecili prej tyre me aftësitë e veta do të bëjë të mirën. Normale do të ketë diskutime gjithmonë, kemi marrë një portier që ka spikatur te Shamrok dhe do jetë më i mirë në të ardhmen pasi aktualisht nuk ndodhet në 100% e tij.
Është shpejt të diskutojmë për titullin kampion, të gjithë do flasin njësoj trajnerët. Është rrugë e gjatë, me peripeci, dëmtime, fat, por unë jam i bindur që jemi ndër favoritët. Pothuajse e kemi të kryer merkaton dhe jam i kënaqur, normalisht mund të ketë ndonjë lëvizje ditët e fundit, por e falenderoj presidentin Xhaferi që nuk është kërcyer.
I uroj Dinamos të kalojë grupet, por ekipet për tu mundur unë quaj veten dhe vlerësoj djemtë e mi më shumë se çdokënd tjetër. Ndeshjet që kanë kaluar kanë kaluar. Unë them që lojtarët e mi nuk i kam nënvlerësuar, nëse lojtarët e mi marrim çdo gjë që unë kam në kokë do jetë fantastike.
Kampionati është i gjatë dhe ndeshjet janë shumë të vështira, çdo ekip mobilizohet shumë mirë, duke pasur parasysh ecurinë e vjetshme, pikët janë jetike. Nesër dhe me Dinamon nuk do të ketë rëndësi loja, por pikët. Unë preferoj të rri në heshtje, nuk kam gjë me gazetarët apo tifozët, dua të rri mbas lojtarëve të mi, të jem më në hije”, ka theksuar timonieri i kuqebluve.