Partizani do të luajë këtë javë kundër Elbasanit në transfertë, një ndeshje mjaft e rëndësishme për të dy ekipet. “Demat e Kuq” dhe verdheblutë vijnë në këtë sfidë pas humbjeve respektive, 0 – 2 me Vllazninë dhe 1 – 4 me Dinamon.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Ivan Gvozdenoviç pësoi disfatë të rëndë me dinamovitët e Ilir Dajës, teksa e nisi ndeshjen në avantazh të një goli. Megjithatë kryeqytetasit u treguan të “uritur” për të marrë një fitore me shumë gola dhe 3 pikë që “kërcënojnë” Partizanin me vetëm 1 pikë më larg.
Por, ky triumf i dinamovitëve duket si një “asist” për të kuqtë që përballë do të kenë një Elbasan me “këmbë në tokë”. Ecuria pozitive e verdhebluve dhe eliminimi nga Kupa në ndeshjen direkte me Partizanin, i bënin favoritë. E hëna e ardhshme do të zbulojë gjithçka me sfidën e përcaktuar të startojë në orën 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.
