
Dinamo është pritëse e derbit të radhës së kryeqytetit. Klubi i ‘Nëndetëses’ shpreson që orari i darkës të shfaqë sa më shumë interes nga ana e tifozëve, për të cilët dhe luhet derbi në fund të fundit.
Presidenti kishte kërkuar disa ditë më parë që orari i përballjes në Elbasan të shtyhej nga ora 16:00 për në 19:00. Ky orar u vendos për Dinamon, si ekip organizator dhe u miratua.
Edhe pse nuk luhet në Tiranë, pritet që në një sfidë kaq klasike numri të jetë më i madh se zakonisht për blutë në qytetin fqinj.
Grupimi ‘Blue Boys’ do të jetë i pranishëm për të mbështetur ekipin e Dajës që po bën kaq shumë mirë këtë sezon.
Tifozët dinamovitë janë mësuar tashmë me mungesën e sfidave pranë kryeqytetit, megjithatë shpresohet që një numër i madh spektatorësh të jetë në stadium, në një prej sfidave më emblematike të futbollit shqiptar.