
Skuadra e Vllaznisë do kërkojë përmbysjen e madhe kundër Daugavpils në Letoni. Sulmuesi Bekim Balaj është shprehur se ekipi tij është gati për këtë ndeshje të rëndësishme në Conference League. Më tej, bomberi shton se ata do të japin maksimumin për të arritur objektivin dhe ndodhen në gjendje të mirë fizike.
Takimi i parë mes ekipit shkodran dhe Daugavpils në Shqipëri përfundoi me shifrat 0-1 për letonezët: “Gjendja është optimale. Kemi ardhur prej dy ditësh që skuadra të akomodohet. Shpresoj që këtë gjendje ta shfaqim edhe në fushën e lojës. Fusha ishte në kushte të mira, shpresoj të shkojë mirë.
Duke ditur mënyrën se si shkoi ndeshja herën e parë, ne e njohim më mirë ekipin kundërshtar. Kemi ardhur me objektiv të qartë për të fituar ndeshjen. Nuk di të them me shanse por ne do të bëjmë më të mirën. Një ndeshje e humbur na ka lënë shije të keqe por shpresojmë të rikuperohemi.
Nëse e shohim si çështje fati, është shumë të kërkosh fat në dy ndeshje kështu që shpresoj të kemi fat këtë ndeshje. Të them të drejtën ne nuk merremi me arbitrimin sepse merremi me fushën e lojës, megjithatë një gjykim si në Elbasan nuk do donim ta kishim. E rëndësishme është të kalojmë këtë ndeshje pastaj shohim. Vllazninë e kanë mbështetur gjithmonë tifozët, uroj t’ua shpërblejmë. Nuk di të them surpriza por do kërkojmë më me shumë ngulm fitoren”, u shpreh Balaj.