Arbitri i Superiores, Laver Alla duket se përtej profesionit që ushtron, është i lidhur me futbollin edhe përtej fushës së blertë. Kjo për shkak se gjyqtari i njohur, është një tifoz i “zjarrtë” i Milanit.
Madje, ai e ka shprehur haptazi në një postime të një prej “FanPage” të klubit italian. Një faqe e Milanit s’kursente elozhet për ndihmës-trajnerin e e kuqezinjve, Marco Landucci, duke theksuar se ka bërë mirë punën në mungesë të Massimiliano Allegrit.
Megjithatë, duket se arbitri, këtë herë nën “petkun” e tifozit s’e ka pranuar diçka të tillë.
“Nuk është ky trajner, është ai që komandonte nga sipër. Dhe ky nga sipër i ka dhënë direktivat atij poshtë dhe më kryesorja është sa qartë shihet loja nga tribuna, nuk shihet nga poshtë. Poshtë është vetëm prezenca, por vendosjet e gabimet shihen më qartë nga tribuna. Forca Milan”, shkruan fillimisht Alla.
Më tej, arbitri i Superiores s’ka kursyer as “kritikat” për Rafa Leaon, për të cilin duket se ka shumë pakënaqësi, duke mos e parë si pikë kyçe të Milanit.
“Vështirë është të fitohet kampionati, sepse janari s’të ofron lojtarë të mirë, përveç lojtarë stoli nga ekipet e tjera. Do ishte mirë Leaon ta shisnin ose ta ulin me këmbë në tokë, sepse ka treguar dhe me atë, e pa atë, ekipi ka reaguar shumë mirë”, mbylli analizën e tij Alla.
