
Denisson Silva është i larguari i radhës nga Dinamo. Brazilianit i ka përfunduar kontrata me “Blutë” dhe në këto kushte ka vendosur të largohet.
Palët nuk kanë gjeur gjuhën e përbashkët për rinovimin dhe 26-vjeçari tashmë është një lojtar i lirë në treg, ndonëse mungon ende zyrtarizimi nga palët. Për brazilianin ka interesime nga ekipet e Superiores, ku Vllaznia e ka “piketuar’ për sezonin e ri.
Por pavarësisht interesit nga shkodranët apo ekipe të tjera të elitës, 26-vjeçari duket gjithmonë e më larg Superiores, pasi për të ka interesime edhe nga jashtë vendit. Ditë të ‘nxehta” këto për brazilianin, i cili kërkon të nisë një eksperiencë të re në një tjetër klub dhe kampionat.
Në këtë sezon me Dinamon, Denisson ia ka dalë të shënojë 10 gola dhe të dhurojë edhe 3 asiste në 39 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës. Ndërkohë kujtojmë se nga dinamovitet janë larguar Rexhepi, Marku, Bardhi, Behiratche, Danaj, Smaçi dhe Allmuca.
