
Disa muaj më parë, Roberto Mancini vendosi që të largohet nga drejtimi i kombëtares italiane për t’u ulur në pankinën e Arabisë Saudite. Ky ndryshim ambienti i Mancinit u paragjykua nga shumë tifozë të cilët e quajtën teknikun italian tradhtar, madje duke shtuar që e gjitha kjo ndodhi vetëm për para.
Pikërisht për këto akuza, është vetë Roberto Mancini që ka folur në një intervistë të dhënë për “Libero”. Ai thotë së shumë të pavërteta janë shkruar për të, teksa shprehet se sfida më e madhe e karrierës së tij është ajo ç’ka po përjeton tani me Arabinë Saudite.
“Këtu në Arabi gjithçka është ndryshe nga Europa, por kam në dispozicion një kombëtare që po përmirësohet dita-ditës. Ka shumë lojtarë të mirë, por ndryshimi kërkon kohë. Po e nisim nga zero, e megjithatë kam gjetur një grup lojtarësh që kërkon të përmirësohet. Padyshim që kjo për mua është sfida më e madhe në karrierë, por njëkohësisht është edhe sfida më tërheqëse dhe stimuluese.
A i prisja kritikat pas largimit nga Italia? I kuptoj reagimet e tifozëve të cilët nuk janë dakord me zgjedhjen time, por unë u kushtëzova nga disa gjëra të cilat nuk shkruhen në media. Për këtë më vjen më shumë keq.
Kur flasim për profesionistë, atëherë edhe largimi nga një detyrë bën pjesë në jetën e një profesionisti. Sa herë janë shkarkuar trajnerë edhe pse kanë bërë një punë të shkëlqyer?! Trajnerët mund të shkarkohen, por edhe të largohen vetë. Kjo është diçka normale dhe pjesë e këtij zanati”, ka thënë Mancini.