
Erald Çinari ka folur për situatën më të fundit që po kalon me klubin e Vllaznisë, teksa shkodranët nuk kanë pranuar t'i japin leje-kalimin. Sulmuesi i Kombëtares tashmë ndodhet në udhëkryq dhe po vijon stërvitjen individuale në Kroaci.
Klubi i Vllaznisë pretendon se nuk është bërë pagesa për kartonin e lojtarit, ndërsa nga ana tjetër shkodrani i ka hedhur poshtë të gjitha teksa ka deklaruar për "shkodra.neës":
"Nuk e kuptoj këtë deklaratë të klubit Vllaznia. Unë di t'ju them se kam një kontratë me ekipin spanjoll të Alavesh. Marrëveshja është arritur me letra dhe sipas rregullave. E di së çështja është dërguar në FIFA, por të presim vendimin e tyre.
Nga Vllaznia më kanë thënë që çështja është dërguar edhe në prokurori, por po të ishte ashtu do kisha një thirrje apo kërkesë nga prokuroria, sepse një kërkesë të tillë në prokurori nga Vllaznia pretendojnë se e kanë bërë prej 20 ditësh, por deri tani nuk më ka ardhur asnjë njoftim".
Ndërsa për një rikthim të mundshëm te Vllaznia, ai është shprehur: "Nuk ka lidhje a mi japin apo jo letrat, sepse drejtuesit e Vllaznisë e kanë ndarë mendjen që të më nxjerrin probleme, vetëm për të marrë sa më shumë lekë, por unë do të fitoj gjyqin dhe do të vijoj karrierën tek Istra", ka përfunduar Erald Çinari.