
Qeveria kanadeze ka bërë me dije se ka nisur procesi i konfiskimit të pasurive të oligarkut rus, Roman Abramoviç.
Sipas mediave të huaja mësohet se këto pasuri arrijnë vlerën e 26 milionë dollarëve.
Kanadaja po e merr këtë hap për herë të parë dhe disa nga aleatët e saj tashmë kanë konfiskuar jahte, kompani të naftës dhe gazit dhe asete të tjera nga njerëzit në listën e sanksioneve.
Otava njoftoi të hënën se do t’i kërkojë gjykatës leje për të ndërmarrë veprime kundër kompanisë së Abramoviç Granite Capital Holdings dhe më pas do të përdorë fitimet për të rindërtuar Ukrainën.
“Oligarkët e Putinit janë bashkëpunëtorë në pushtimin e paligjshëm dhe barbar të Ukrainës nga Rusia”, tha në një deklaratë zëvendëskryeministrja kanadeze Chrystia Freeland.
“Kanadaja nuk do të jetë një strehë për përfitimet e tyre të paligjshme dhe njoftimi i sotëm tregon vendosmërinë tonë për të siguruar që elitat ruse të paguajnë për mbështetjen e tyre ndaj regjimit brutal të Putinit,” shtoi zëvendëskryeministri.
Abramoviç ish-pronari i klubit të futbollit londinez Chelsea, është në listën e sanksioneve të Kanadasë, Britanisë dhe Bashkimit Evropian.
Pas pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit, Kanadaja vendosi sanksione ndaj mbi 1500 individëve dhe personave juridikë rusë.