
Në moshën 22-vjeçare, Xheron Osma është një nga mesfushorët më punëtorë dhe të disiplinuar të kategorive të ulëta në futbollin shqiptar. Me profil shkatërruesi klasik, numri 6 i Luzit është rritur ndjeshëm në lojën e tij dhe ka qenë ndër më konstantët gjatë sezonit të fundit.
Sezoni i sapombyllur nuk shkoi sipas planeve për Luzin, që kishte synim rikthimin në Kategorinë e Parë. Megjithatë, Osma e sheh anën pozitive të përvojës, duke u ndalur më shumë te zhvillimi i tij personal si lojtar:
“Sezoni që lamë pas ishte sfidues, pasi kishim objektiva të qarta për t’u rikthyer në Kategorinë e Parë, por fati nuk deshi të shkonte kështu. Megjithatë, mendoj që kam kaluar një sezon pozitiv dhe çdo ndeshje më ka dhënë ndjesi të veçantë”.
E ardhmja për të mbetet e hapur. Edhe pse ende nën kontratë me Luzin, mesfushori 22-vjeçar është në pritje të një oferte që do ta ndihmonte të ngjitet një nivel më lart:
“Jam akoma nën kontratë me Luzin, por shpresoj të bëj një hap tjetër në karrierën time. Kam folur me drejtuesit dhe më kanë lënë të lirë të vendos për të ardhmen”.
Për Xheronin, e rëndësishme është që çdo hap të jetë i menduar mirë dhe i mbështetur nga puna. Ai është i vetëdijshëm që potenciali i tij është larg kulmit:
“Kulmin nuk e kam arritur akoma. Kam shumë punë përpara dhe dua të jem sa më i sigurt në çdo hap që hedh”.
Nga rrugëtimi i deritanishëm, një nga momentet më të paharrueshme mbetet thirrja në Kombëtare. Ai e ka provuar emocionin e fanellës kuqezi dhe e përshkruan si një ndjesi që nuk krahasohet me asgjë tjetër:
“Pa diskutim, të veshësh fanellën e Kombëtares është ndjesi e veçantë. Unë fatmirësisht e kam provuar dhe mund të them që emocionet dhe ndeshjet me Kombëtaren nuk i luan askund tjetër”.
Me këmbët në tokë dhe sytë nga e ardhmja, Xheron Osma është në pritje të sfidës së radhës në karrierë. Një lojtar që nuk bën shumë zhurmë, por që kërkon të flasë me performancën në fushë.