Laçi padiskutim është skuadra e më e mirë aktualisht në Shqipëri. Të paktën sipas statistikave në këtë sezon në kampionat.
Kurbinasit bashkë me Skënderbeun duke se do të bëjnë deri në fund llogaritë për titullin kampion të Kategorisë së Parë. Ndërkohë i padiskutueshëm është rikthimi i tyre në Superiore, pasi ky është qëllimi kryesorë i klubit dhe ekipi duket në rrugën e duhur.
Madje duke e bërë me rezultate fantastike. Skuadrën e Naci Sensoyt do ta kishin “zili” çdo ekip, madje dhe “bigët”. Kjo pasi kanë arritur të sigurojnë plot 11 fitore rresht në kampionat, duke marrë “përpara” çdo kundërshtar që ka guxuar t’iu “presë” rrugën drejt rikthimit në elitë.
Me këto paraqitje dhe rezultate të siguruara nga bardhezinjtë deri në javën e 25-të të kampionatit padiskutim janë për t’u duartrokitur. Deri më tani kanë më pak humbje, vetëm 2, ndërsa kanë marrë 6 barazime dhe 17 fitore. Aktualisht janë vetëm 3 pikë larg Skënderbeut të vendit të parë, pozicion që tashmë ka nisur të “dridhet”, me Laçin që i ka “shkelur” syrin dhe “kërcënon” kështu korçarët për titullin kampion.
