Oltijon Kërnaja është zyrtarisht trajneri i ri i Flamurtarit. Klubi vlonjat e ka prezantuar teknikun përmes një komunikate zyrtare në rrjetet sociale.
"Me besim te puna, përkushtimi dhe vizioni i tij, i urojmë shumë suksese në drejtimin e skuadrës sonë dhe arritjen e objektivave të përbashkëta. Mirë se erdhe në familjen kuqezi, Oltijon!", shkruhet në njoftimin e klubit.
Një eksperiencë e re për tropojanin, pas përvojës në Superiore me Partizanin. 37-vjeçari i udhëhoqi të kuqtë në 28 ndeshje në total, mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, duke koleksionuar 13 fitore, 7 barazime dhe 8 humbje.
Më parë, Kërnaja ka qenë trajner i Kukësit, Tërbunit dhe Valbonës, ndërsa si asistent ka punuar te klubi i Laçit.
