
Skënderbeu ka fituar në transfertë përballë Pogradecit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 4-t të Kategorisë së Parë. Sfida e zhvilluar në stadiumin e Pogradecit, përfundoi 0-1. Në përfundim të kësaj sfide foli trajneri i "liqenorëve", Ard Mema.
“Luanim kundër një ekipi që ka qenë në Superligë dhe kanë më shumë se një vit bashkë. Jemi një ekip i bërë rishtazi. Akoma nuk është kualiduar aty ku duhet ekipi. Por luajtëm me kundërshtar të fortë, ishim të barabartë. Kishim edhe ne mundësitë tona ashtu si kundërshtari. Futbolli është i tillë që duhet të përqendrohesh, në fazë sulmi dhe mbrojtje.
Përsa i përket vazhdimësisë pas 30 minutave, mund të bjerë ritmi. Po të ndahet si kohë, ne ndajmë 15 minutëshat, kur ne kërkuam ta vinim në vështirësi kundërshtarin. Por që kohët e presionit, po është e drejtë. Goli që pësuam nuk kishte presion nga asnjëri.
Megjithatë, të them të drejtën ishte pak ndeshje e vështirë pasi u bënë shumë gabime në vazhdimësinë e qarkullimit të topit. Tranzicionet ndodhin shpesh dhe Skënderbeu është skuadër më e konsoliduar. Nuk jam në gjendje të bëj një analizë të saktë.
E gjitha kjo ka të bëjë edhe me kundërshtarin që luanim. Po ta shikosh Skënderbeun është shumë i fortë edhe në tranzicion, sidomos në atë pozitiv. Ka lojtarë cilësorë që kontrollojnë topin, këtu ishte më superior Skënderbeu.
Kur bën sulme agresive, duhet të jenë minimumi 4 vetë para portës. Kemi sulmuar me ekuilibër duke pasur frikën e mospësimit të golit. Kur sulmon, sulmon me disa forca duke parë dhe ekipin kundërshtar. Po, e shkelim pak zonën e kundërshtarit.
E kam si justifikim këtë, deri para ndeshjesh me Laçin, 60% e ekipit ka qenë i dëmtuar. Edhe sot kam pasur mungesa, por në vazhdimësi nuk e di si duhet të shkojnë gjërat. Nuk mund të kërkojmë gjë pa qenë agresivë para portës. Edhe në ndeshjet e tjera kemi qenë të varfër në këtë pjesë”, tha Mema.