
Lushnja zhvillon të dielën ndeshjen e ardhshme të Kategorisë së Parë. Lagunarët vihen përballë në shtëpi ndaj Vorës, një pretendent për ngjitjen në Superiore.
Lushnjarët nuk do ta zhvillojnë në “Roza Haxhiu” sfidën e funsjavës, por në “Fusha e Plugut”. Ky vendim është marrë pas investimeve që do t’iu nënshtrohet stadiumi ku verdhjeshilët zhvillojnë takimet tradicionalisht. Fshati i Bashkisë Lushnje, shumë pak kilometra larg qyteti do të jetë pritës i ndeshjeve në shtëpi. Kujtojmë që aty mbahen seancat stërvitore të ekipit të parë dhe sfidat e moshave zinxhir të klubit myzeqar.
Takimi i javës së 19-të ndaj kundërshtarit të vështirë si Vora nis në orën 13:30 dhe lajmi më i gëzueshëm për tifozët e shumtë të klubit të Kategorisë së Parë është hyrja falas.
Të gjithë të interesuarit mund ta ndjekin takimin nga shkallët e kompleksit, që për hir të së vërtetës nuk është se ofron një numër të lartë të disponueshëm. Gjithsesi, heqja e biletës është një nismë e mirë për të inkurajuar pasionantët të dalin jashtë qytetit dhe të mbështesin skuadrën në momentet e ringritjes nën Xhafën.