Të shtunën në mesditë priten të luhen ndeshjet e javës së 26-të të Kategorisë së Parë. Mes 6 përballjeve, spikat ajo mes Burrelit dhe Kukësit, ku të dyja këto skuadra luftojnë për objektiva të ndryshëm.
Verilindorët gjenden në pozita vërtetë të vështira. Të pozicionuar në fund të tabelës me vetëm 17 pikë në 25 javë, skuadra e drejtuar nga Bledi Kadiu duhet të reagojë përpara se të jetë vonë. Kalendari duket favorizues për klubin, të cilët pas Burrelit do të kenë përballë Lushnjen, Apoloninë dhe Korabin, skuadra që kanë të njëjtin objektiv si Kukësi, qëndrimin edhe për një sezon tjetër në të Parën.
Ndeshja e cila mund të “vulosë” edhe fatin e skuadrës veriore është ajo ndaj Kastriotit. Fillimisht, sprova e parë kalon nga Burreli i vendit të 6-të, pozicion ky që të mundëson fazën play-off për ngjitjen në Superiore, e më pas për të vijuar me përballjet e mbetura të fazës së fundit të kampionatit.
Kujtojmë se Kukësi përjetoi vite të arta kohë më parë. Ishte sezoni 2016-2017 që i pa ata të bëheshin kampionë të Shqipërisë për herë të parë, kur asokohe drejtoheshin nga Ernest Gjoka. Duket se kjo periudhë tashmë i përket së kaluarës, pasi tashmë, te klubi do të përpiqen të shmangin një tjetër “makth” si rënia një kategori më poshtë.
Sezonin e fundit ia dolën të shmangin më të keqen, ndërsa i njëjti objektiv mbetet edhe këtë vit kalendarik.
