Lorik Cana u nderua në Samitin e Diasporës që u zhvillua ditën e sotme në Tiranë, duke marrë një dekoratë nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, për kontributin e tij ndër vite.
Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare e futbollit vlerësoi rëndësinë e përfaqësimit të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë si arritjen më të madhe personale dhe profesionale.
“Vërtetë rrugëtimi im në ato kohë ka qenë i vështirë. Duke u rikthyer në këtë Samitin e Diasporës një djalë shqiptar i Kosovës, i emigruar dhe me pasionin dhe dashurinë e tij, jo vetëm kemi bërë mirë për familjarët tanë, por jemi munduar të ngremë lart emrin e shqiptarëve anembanë dhe kjo ka qenë krenaria ime më e madhe.
Krenari kjo që kam përjetuar unë dhe familjarët e mi. Duke pasur një mjet që është sporti dhe futbolli, pastaj aty e kupton që ke një përgjegjësi më të madhe. Jemi munduar që gjithmonë ta ngremë dhe konsolodojmë komunitetin tonë dhe të japim një shembull”, tha Cana.
Kjo ceremoni ishte “çelja” e Samitit të Diasporës, që do të zgjasë 3 ditë në Tiranë. Në këtë samit, morën pjesë figura të njohura nga fusha të ndryshme u vlerësuan për rolin e tyre në promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë.
