
Gjykata e Apelit ka lënë të lirë ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjicin. Burime për mediat bëjnë me dije se togat e zeza kanë vendosur këtë të hënë lirimin e ish presidentit të klubit të futbollit Kukësi për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të këtij të fundit.
Safet Gjici ra në prangat e Policisë më 24 qershor të vitit 2023 pas publikimit të video-skandalit ku shihej me Alma Kaçin duke kryer marrëdhënie intime në zyrën e ish-kryebashkiakut, në kohën kur dhe mbante postin e qytetarit të parë të Kukësit.
Fillimisht Gjykata e akuzoi Gjicin për veprën penale “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa Alma Kaçin për veprën penale “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
Më pas togat e zeza vendosën të ndryshojnë akuzën për Gjicin duke e dënuar me 2 vite burgim si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite për “shpërdorim detyre”.
Ndërsa për Alma Kaçin u vendos akuza për ushtrim të prostitucionit duke u dënuar përfundimisht me 1 vit heqje lirie. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Alma Kaçi i kishte ofruar përfitime të parregullta Gjicit në formën e favoreve seksuale.
Ndërkohë, ashtu sikurse kemi njoftuar dhe më herët qëndrimi në qeli për ish-kryebashkiakun nuk ka qenë aspak i lehtë. Në qershor të vitit të kaluar ai u shtrua në një nga spitalet private të Tiranës për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Burime për newsbomb.al bënë me dije asokohe që Gjici vuan nga një sëmundje e rëndë e cila kërkon kujdes maksimal dhe mbikëqyrje mjekësore permanente. Prej asaj kohe ai ka depozituar disa kërkesa në Gjykatë ku dhe ka kërkuar masë më të lehtë sigurie pasi për shkak të gjendjes së tij të rënduar nuk mund të qëndronte në qeli.