Të tjera detaje janë zbuluar lidhur me sherrin e regjistruar një ditë më parë në Burgun e Reçit ku dy shkodranët, ish kampioni i boksit, Astmer Bilali dhe Mikel Thani, u konfliktuan fizikisht me njëri-tjetrin.
Burime për "Newsbomb.al" bëjnë me dije se dy të dënuarit vijojnë të jenë në Qendrën Spitalore të Burgut në Tiranë, ndërkohë gjendja e tyre shëndetësore është stabël. Dy të rinjtë mbetën të plagosur nga grushtet që i dhanë njëri-tjetrit dhe u desh ndërhyrja e stafit mjekësor.
Sherri ndodhi vetëm mes ish boksierit Bilali dhe Thanit, pa u përfshirë të burgosur të tjerë. Sipas raportimeve, dy shkodranët kishin krijuar më parë miqësi në qeli, por konfliktet e tyre shpërthyen papritur gjatë kohës që po hanin drekë së bashku me shokët e tjerë të burgut.
Astmer Bilali, i njohur si pjesëtar i grupit kriminal Bajri, është akuzuar nga Prokuroria e Posaçme si ekzekutor i drejtpërdrejt i Fatbardh Licit, xhaxhait të shtetasit Ibrahim Lici. Hetimet e SPAK, shtatë vjet pas ngjarjes, zbuluan përfshirjen e katër të pandehurve në konfliktet mes familjeve Bajri e Lici, të cilat ishin shkak i vrasjes së Fatbardh Licit për kontrollin e Shkodrës.
Mikel Thani ndodhej në qeli që nga janari i vitit 2015. Rreth një vit para burgosjes, ai kishte qenë i fejuar me një vajzë nga familja Guri në lagjen Kiras të Shkodrës. Fejesa u ndërpre nga prindërit e vajzës, dhe si pasojë, Thani sulmoi vjehrrin, vjehrrën dhe mbesën e tyre 12-vjeçare. Në vitin 2020, ai ishte futur në izolim për shkak të dhunës ndaj një gardiani të burgut, duke u konsideruar një i burgosur problematik.
