Ish-drejtori i Departamentit të Administratës në Federatën Shqiptare të Futbollit, Denis Bastari, i cili prej disa vitesh punon në UEFA, është ngritur në detyrë.
Së fundmi, Bastari ka marrë pozicionin e Drejtorit të Zhvillimit të Shoqatave Kombëtare në UEFA. Ish-zyrtari i FSHF-së, është emëruar në një detyrë të re, duke shënuar një hap të rëndësishëm në karrierën e tij në administrimin e futbollit.
Në rolin e ri, ai do të punojë për mbështetjen e shoqatave kombëtare dhe zhvillimin e tyre afatgjatë brenda ekosistemit të futbollit. Kontributi i tij synon rritjen e standardeve organizative dhe menaxheriale.
Ai mbajti disa role të larta brenda FSHF. Që nga janari i vitit 2017, ai ka shërbyer si Drejtor Administrativ, pas mandatit të tij si Drejtor i Departamentit Ndërkombëtar dhe Projekteve nga viti 2008 deri në vitin 2016.
Bastari gjithashtu ka kontribuar në futbollin elitar, duke shërbyer si Menaxher i Ekipit të Kombëtares shqiptare, si Drejtor i Vendeve të UEFA-s dhe si Delegat i Ndeshjeve të UEFA-s.
