Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit, Fatos Nano, ka sjellë reagime të shumta edhe nga figura të shquara të futbollit në vendin tonë. Presidenti i klubit të Partizanit, Gaz Demi ka shprehur ngushëllimet e tij familjes Nano, për ndarjen nga jeta të njeriut të dashur.
Ndër të tjera, Demi ka zbuluar se ka qenë edhe bashkëpunëtor i Fatos Nanos, duke theksuar se i ka qëndruar pranë në ditë të mira dhe të vështira. Presidenti i Partizanit e cilëson Nanon si një “burrë shteti”, duke shprehur respektin e përjetshëm karshi tij.
REAGIMI:
Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, ish-Kryeministër i Shqipërisë, intelektual i shquar, profesor dhe një tifoz i klubit Partizani.
Presidenti Gazment Demi, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano, duke evidentuar një dedikim special: - Fatos Nanon do ta mbaj mend si profesorin dhe mikun tim të mirë, qysh në Fakultetin e Ekonomisë, ashtu edhe vitet e para të demokracisë. Profesori do të mbahet mend si njeriu që i dha vlerat e vërteta demokracisë dhe u tërhoq në moshën më vitale, duke i lënë stafetën më të rinjve, për të dhënë një shembull unik në jetën publike dhe politike të vendit tonë. Jam krenar që i kam shërbyer qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore profesorit dhe mikut tim të mirë. Nga shqiptarët ai do të kujtohet me respekt të madh si një burrë shteti dhe një politikan brilant, duke treguar tolerancë e maturi, ndërkohë që unë do e kujtoj gjithnjë si Profesorin tim të veçantë, një mik të rrallë, të mençur dhe të ndershëm që kam patur nderin ti qëndroj afër si në ditët e mira, ashtu edhe në momentet më të vështira.
Lamtumirë miku im i mirë! U prehsh në paqe Profesor! Me mirënjohjen dhe respektin e përjetshëm të familjes Demi dhe klubit të kuq…!

