Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

BOTËRORI 2026

EKSKLUZIVE/ “Shanset 60 me 40 për Poloninë”, gazetari polak flet para sfidës: Shqipëria ekip i fortë, nëse eleminohemi do të jetë….

Shkruar nga NEWSPORT
EKSKLUZIVE/ “Shanset 60 me 40 për Poloninë”, gazetari
Poloni - Shqipëri & gazetari polak

Është dita e ndeshjes Poloni-Shqipëri ku të gjithë repertoret do të zhvendosen në stadiumin “Narodowy” në Varshavë. Sfida e vlefshme për gjysmëfinalet e play-off do të jetë përcaktues para finales së madhe që do të luhet mes çiftit fitues Ukrainë/Suedi.

Nga Varshava, ekskluzivisht për Newsport ka folur dhe gazetari polak Luczak Marciej, i cili ndan me ne ndjesitë e kësaj sfide në Poloni, atmosfera e tifozëve, si është përgatitur trajneri Jan Urban për këtë duel dhe shanset për kualifikim për të dyja skuadrat.

Luczak, jemi pak orë para ndeshjes Poloni–Shqipëri, një takim që mund të jetë vendimtar për kualifikimin në Botërorin 2026. Si është atmosfera në Varshavë dhe si ndihen tifozët polakë?

Mendoj se tifozët dhe opinioni publik në Poloni ndihen paksa të shqetësuar dhe nervozë, sepse kjo është një ndeshje e vetme kundër Shqipërisë. Ne kemi përvojë me “play-off”-et nga e kaluara, si para Euro 2024 ashtu edhe para Botërorit në Katar. Diferencat kanë qenë gjithmonë shumë të vogla. Polonia i ka fituar këto “play-off”-e në 2022 dhe 2024, por dy vite më parë fituam vetëm pas penalltive ndaj Uellsit. Nuk ka vend për gabime. Ndeshjen me Shqipërinë e shohim si shumë të madhe, sepse është vetëm një takim dhe një gabim mund të vendosë gjithçka.

Si po e përgatit Polonia këtë përballje? A do të jetë skuadra e plotë apo do të mungojnë lojtarë të rëndësishëm?

Mund të them se kemi vetëm një problem me dëmtimet: portieri i parë, Łukasz Skorupski i Bolonjës, është i dëmtuar. Megjithatë, zëvendësuesi i tij, Kamil Grabara i Wolfsburgut, është një portier shumë i mirë dhe nuk ka diferencë të madhe mes tyre. Ai pritet të jetë titullar. Në pozicionet e tjera, pothuajse të gjithë janë në formë. Një lajm i mirë është edhe prania e lojtarëve si Jakub Kiwior dhe Jan Bednarek në mbrojtje, si dhe talenti i ri 18-vjeçar Oskar Pietuszewski, i cili ka bërë paraqitje shumë të mira së fundmi. Pra, përveç Skorupskit, pritet që të gjithë të jenë të gatshëm dhe nuk pres surpriza të mëdha në listë.

Jeni përballur disa herë vitet e fundit, me fitore për të dyja skuadrat. A mund të presim një tjetër ndeshje emocionuese? Si po përgatitet Jan Urban për Shqipërinë?

Nuk besoj se kjo ndeshje do të jetë “emocionuese” në kuptimin spektakolar të lojës. Presim një përballje shumë të fortë dhe të luftuar, që mund të vendoset nga një moment i vetëm: një gabim, një goditje dënimi apo një goditje këndi. Jan Urban do të përgatisë një skuadër që do të luftojë fort dhe do të japë gjithçka për kualifikimin. Polonia ka marrë pjesë në shumë turne të mëdhenj vitet e fundit; hera e fundit që nuk u kualifikuam ishte Botërori 2014. Do të ishte një goditje e madhe nëse nuk kualifikohemi. Megjithatë, do të jetë shumë e vështirë të fitojmë ndaj Shqipërisë dhe më pas edhe finalen jashtë fushe. Në Poloni pritet një rezultat pozitiv në shtëpi. Për mua, shanset janë rreth 60 me 40 në favor të Polonisë - një vlerësim që është mjaft i përhapur edhe në media dhe mes tifozëve.


A e sheh Polonia Shqipërinë si një kundërshtar serioz? Ka frikë për humbje pikësh, apo atmosfera është më e qetë dhe e sigurt?

Ne e respektojmë Shqipërinë, sepse e dimë që keni qenë pjesë e turneve të rëndësishëm dhe e kujtojmë mirë ndeshjen në Tiranë ku Polonia humbi. Askush në Poloni nuk e konsideron këtë si një ndeshje të lehtë. E dimë që keni lojtarë që luajnë në liga të forta dhe se jeni një skuadër shumë e mirë. Ndoshta nuk keni shumë emra të mëdhenj individualisht, por si ekip funksiononi shumë mirë. Për mua, Shqipëria është një ekip i fortë.


Nëse Polonia nuk arrin të kualifikohet, a mund të ndikojë kjo në pozicionin e trajnerit dhe të ardhmen e disa lojtarëve?

Është një pyetje e mirë, por e vështirë. Në Poloni ka pasur shumë ndryshime trajnerësh, ndoshta edhe më shumë seç duhet. Jan Urban erdhi për të përmirësuar marrëdhëniet brenda skuadrës dhe për të sjellë rezultate më të mira, dhe deri tani po bën një punë të mirë. Kontrata e tij skadon së shpejti, por nëse kualifikohet, ajo zgjatet automatikisht. Nëse humbasim ndaj Shqipërisë ose në finale, federata do të duhet të vendosë. Mendoj se ai do të qëndrojë, përveç rastit të një humbjeje shumë të rëndë.

E ardhmja e Lewandowskit, a varet nga kjo sfidë e sotme?

Sa i përket Robert Lewandowski, ai do të duhet të vendosë për të ardhmen e tij. Nëse Polonia kualifikohet, sigurisht që do të luajë në Botëror. Nëse jo, dyshoj se do të vazhdojë me kombëtaren, sidomos duke qenë se Polonia do të luajë në Ligën e Kombeve në Divizionin B. Ndoshta mund të rikthehet për kualifikueset e Euro 2028, por kjo varet edhe nga e ardhmja e tij në nivel klubesh - nëse qëndron te Barcelona apo largohet, për shembull drejt MLS. Nuk përjashtohet që, në rast dështimi për kualifikim, ai të tërhiqet nga kombëtarja./ Ermal SPAHIU

Poll

Lexo gjithashtu