Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

BOTËRORI 2026

EKSKLUZIVE/ "Barazimi, rezultati më i drejtë", gazetari polak “tradhton” paraqitjen e ekipit të Jan Urban: Ja ku gaboi Shqipëria

Shkruar nga NEWSPORT
EKSKLUZIVE/ "Barazimi, rezultati më i drejtë", gazetari
Poloni - Shqipëri

Polonia mposhti Shqipërinë në duelin e vlefshëm për një kualifikim në finalen e madhe, të cilën skuadra e Jan Urban do ta luajë përballë Suedisë që mposhti në krahun tjetër Suedinë në transfertë 3-1.

Lidhur me rezultatin dhe të gjithë kronologjinë e situatave që rrodhën në Varshavë, ka folur për Newsport, gazetari polak Luczak Maciej.

Si e përjetove ndeshjen Poloni–Shqipëri?

"Ishte një ndeshje me cilësi të ulët, nëse e krahasojmë me ligat e mira europiane apo me ndeshjet e turneve të mëdha të kombëtareve. Për mua, niveli ishte mjaft i ulët si nga Polonia, ashtu edhe nga Shqipëria".

Çfarë shkoi keq në pjesën e parë?

"Mendoj se në pjesën e parë Polonia i dha shumë hapësira mesfushës. Ky ishte problemi kryesor, së bashku me gabimin e Jan Bednarek te goli i parë i Shqipërisë. Ishte një gabim individual. Por besoj se Polonia e humbi betejën në mesfushë dhe kjo lidhej edhe me një ndryshim sistemi, sepse në pjesën e dytë, Polonia luajti për më shumë se 30 minuta me skemën 1-4-4-2 dhe jo 1-3-4-3.

Qëllimi ishte të kishte një lojtar më shumë në mesfushë. Pra, problemi kryesor për Poloninë ishte humbja e betejës në mesfushë. Gjithashtu, mendoj se nëse Shqipëria do të kishte shënuar golin e dytë nga rasti i shkëlqyer i Bajramit, do të ishte shumë e vështirë për Poloninë të barazonte. Jo vetëm për shkak të dy golave të pësuar, por edhe për atmosferën në stadium.

Nga ana psikologjike, do të ishte shumë e vështirë për ekipin polak të reagonte. Mendoj se elementi më vendimtar për Poloninë ishin aftësitë individuale të Lewandowskit dhe Zielinskit. Të dy janë lojtarë të shkëlqyer, yje në klube të mëdha, dhe kjo ishte vendimtare: dueli i fituar nga Lewandowski në zonë dhe goditja e bukur nga distanca e Zielinskit. Zielinski është shumë i fortë në këtë aspekt, pasi këtë sezon ka shënuar 7 gola nga loja e hapur dhe 6 prej tyre nga jashtë zone.

Prandaj, mendoj se Shqipëria duhej të mbrohej më mirë në situata të tilla. Gjithashtu, goditjet standarde ishin shumë të rëndësishme - sidomos goli i parë i Polonisë. Polonia ka ekzekutues shumë të mirë të goditjeve standarde, veçanërisht Sebastian Szymański, i cili asistoi për Lewandowskin. Kjo ishte një tjetër forcë e ekipit polak. Megjithatë, Shqipëria ka arsye të ndihet e zhgënjyer, sepse nuk ishte një ndeshje që duhej humbur".

A mendon se nëse Bajrami dhe Pilo do të kishin shënuar, ëndrra e Polonisë për kualifikim do të zbehej?

"Mendoj se një barazim do të ishte rezultat i drejtë dhe më pas gjithçka do të shkonte në kohë shtesë ose penallti. Shqipëria krijoi raste, por nuk i shfrytëzoi - sidomos ai rast i pastër për 2-0 dhe më pas për 2-1". 

Cili lojtar i Shqipërisë të bëri më shumë përshtypje?

"Është e vështirë të veçoj një lojtar të vetëm. Unë e shoh Shqipërinë si një ekip që funksionoi mirë si kolektiv. Pashë organizim të mirë, një ide të qartë loje: mbrojtje e thellë, kundërsulme dhe shfrytëzim i gabimeve të Polonisë. Dhe kjo pothuajse dha rezultat. U krijuan raste shumë të mira për 2-0 dhe për 2-1. Pra, ideja e lojës ishte e mirë, por humbja erdhi sepse skuadra nuk ishte mjaftueshëm konkrete para portës - dhe ky ishte problemi kryesor".

Në fund, ndeshja me Suedinë - do të jetë shansi i Polonisë për Botërorin apo mund të ketë surpriza?

"Mendoj se ndeshja me Suedinë është 50/50. Ne jemi përballur edhe katër vite më parë në finalen e play-off-it për Botërorin e Katarit dhe fituam 2-0, por ishte një ndeshje e fortë dhe e balancuar. Golin e parë e shënuam nga penalltia (një episod i diskutueshëm), ndërsa të dytin nga kundërsulmi në fund. Edhe ata patën rastet e tyre, por atëherë Wojciech Szczęsny bëri një ndeshje shumë të mirë.

Tani nuk di çfarë të pres nga Suedia. Di që kanë pasur paraqitje të dobëta dhe u futën në play-off përmes Nations League, jo përmes eliminatoreve. Besoj se fituan Divizionin C dhe kjo u dha mundësinë të luajnë në play-off. Kanë ndërruar trajnerin, por ende është e paqartë çfarë niveli do të tregojnë.

Megjithatë, kanë lojtarë shumë të mirë si sulmuesi Viktor Gyökeres dhe anësori Anthony Elanga, si dhe disa futbollistë që luajnë rregullisht në ligat më të forta europiane. Për më tepër, kanë avantazhin e fushës, pasi ndeshja luhet në Suedi. Fitorja 3-1 ndaj Ukrainës u ka dhënë një shtysë morale. Kam parë vetëm golat, jo të gjithë ndeshjen, por kam dëgjuar se ishin skuadër më e mirë. Kjo mund të ndikojë pozitivisht për ta.

Jam shumë kurioz si do të shkojë kjo ndeshje. Është e vështirë të parashikohet fituesi - pres një përballje shumë të fortë dhe të barabartë. Detajet e vogla do të bëjnë diferencën: ndoshta koha shtesë, ndoshta penalltitë. Nëse vendoset brenda 90 minutave, mendoj se njëra skuadër do të fitojë me një gol diferencë".

Poll

Lexo gjithashtu