
Vinicius Jr, një nga yjet më të mëdhenj të Real Madridit dhe një lojtar kyç për kombëtaren braziliane është nën hetim zyrtar nga Komiteti i Etikës i FIFA-s dhe mund të përballet me një pezullim dy-vjeçar nga futbolli nëse shpallet fajtor për shkeljen e rregullave të pronësisë.
Çështja rrjedh nga një ankesë e paraqitur më 7 prill nga “Tiberis Holding do Brasil”, një kompani braziliane që pretendon se Vinicius, nëpërmjet një firme të lidhur me babanë dhe agjentin e tij, Thassilo Soares, mban aksione direkte ose indirekte në klubet profesionale të futbollit , gjë që është rreptësisht e ndaluar sipas Kodit të Etikës të FIFA-s.
"Lojtarët aktivë nuk mund të kenë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë pronësinë e klubeve profesionale të futbollit në nivel kombëtar ose ndërkombëtar nëse ekziston ndonjë rrezik i një konflikti interesi".
Nëse Komiteti i Etikës vendos se këto rregulla janë shkelur, Vinicius Jr. mund të pezullohet deri në dy vjet, një sanksion që do t'i jepte një goditje masive si Real Madridit ashtu edhe kombëtares së Brazilit, veçanërisht me turnetë e mëdha në horizont.