
Ardon Jashari do vetëm Milan. Kjo u pa qartë edhe në miqësoren e djeshme mes klubit të tij, Club Brugge dhe Union Sg, sfidë e vlefshme për Superkupën belge, e cila u fitua 2-1 nga Brugge.
Megjithatë, Jashari nuk ishte në fushë për asnjë minutë, duke demonstruar qartë vendimin e tij për t’u bashkuar me kuqezinjtë. Vlen të përmendet se oferta e fundit e bërë nga Igli Tare dhe Milan, është shumë afër asaj ç’ka kërkon Brugge dhe në këto kushte, klubi belg po zbutet.
Ndërkohë që pas ndeshjes së djeshme, trajneri i shqiptarit te Club Brugge, Nicky Hayen ka folur për situatën e merkatos. Ai i vendos ultimatum Jasharit, duke thënë që ditën e sotme (këtë të hënë) duhet të kthehet në stërvitje.
“Situata është shumë e qartë. Ai duhet të kthehet në stërvitje të hënën (sot). Por në futboll, gjërat mund të jenë shumë të vështira dhe kjo është një situatë vërtet e komplikuar. Por kam besim të plotë te klubi se ata do ta trajtojnë situatën siç duhet. Sidoqoftë, do të shohim se si do të përfundojë”, tha trajneri i Club Brugge.