Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SERIE A

Në stadium për Interin që nga viti 1962! Giancarla 89-vjeçare tregon amanetin e bashkëshortit: Do të shkosh në “San Siro” edhe pasi të vdes unë

Shkruar nga NEWSPORT
Në stadium për Interin që nga viti 1962! Giancarla
Giancarla Gariati

Giancarla Gariati është një grua 89-vjeçare, e cila e ndjek Interin nga shkallët e stadiumit, prej vitit të largët 1962. Dashuria për zikaltërit i erdhi pikërisht nga bashkëshorti. Por, edhe pas vdekjes së këtij të fundit, Giancarla tregon se ai i la një amanet tepër të veçantë.

Në një intervistë të dhënë për “Corriere Italia”, 89-vjeçarja thotë se në momentin që bashkëshorti po ndahej nga jeta, i la amanet që të shkonte në stadium vetëm. Sigurisht që Giancarla ia dërgoi fjalën në vend dhe prej asaj dite vazhdon që ta ndjekë Interin si një “ultras” i vërtetë.

Shkon vetëm në stadium?

Sigurisht, ndonjëherë po. Banoj në Quarto Oggiaro. Fillimisht marr tramvajin 40, pastaj linjën 64 që ndalet përpara stadiumit. E bëj këtë rrugë prej 30 vitesh. Shoferët më njohin tashmë.

Nga lindi ky pasion?

Kam qenë gjithmonë tifoze e Interit. Jam lindur në një familje me 11 fëmijë. Të gjithë ishin tifozë të Milanit apo Juventusit. Vetëm unë isha interiste sepse më pëlqenin ngjyrat. Vishesha gjithmonë me diçka zikaltër.

Një histori dashurie që lindi në fëmijëri dhe zgjati gjithë jetën...

Giancarla, 88 vjeçe, është një nga figurat më të bukura të interizmit. E lindur në Vigonzone, një fshat i komunës Torreveçhia Pia në krahinën e Pavias, nga një familje e varfër, ajo u shpërngul në Milano si e re për të ndihmuar familjen. Nuk përdor WhatsApp “se nuk di fare të dërgoj mesazhe”; dhe historia e saj mund të mësohet vetëm në dy mënyra, duke i telefonuar ose duke e takuar në radhë jashtë hyrjes së sektorit blu 2 të Meazza-s. Lehtë ta dallosh, entuziazëm ngjitës, thonj me manikyr zikaltër dhe veshje të Interit.

Si e njohe bashkëshortin?

Pasi punova në fshat, në moshën 14-vjeçare u shpërngula në Milano dhe fillova punë si shërbyese në familjen e kontit Ferretti. Një ditë erdhi Ercole me shefin e tij, ishin tapicierë. Më pëlqeu, por nuk e kuptoja nëse ishte interist apo milanist.

Çfarë tifozi ishte?

Interist natyrisht. Që nga ai moment nuk jemi ndarë më. Në vitin 1962 u martuam dhe morëm abonimin tonë të parë. Si dhuratë martese më dha një shall zikaltër që ia kishte thurur gjyshja kur ishte 8 vjeç. Ende e ruaj, edhe pse është plot me vrima. E kam diku në sirtar, duhet ta gjej për finalen.

Dashuri zikaltër që i bashkoi edhe më shumë...

E donim shumë njëri-tjetrin dhe Interi na bashkonte akoma më shumë. Nuk mund ta përshkruaj sa i lumtur ishte kur shkuam për herë të parë në San Siro. Shkonim gjithmonë, madje edhe në qendrën stërvitore në Pinetina. Një ditë, ndërsa hanim drekë, dëgjuam në TV që do kishte stërvitje. Lamë gjithçka dhe ikëm menjëherë. Të tillë ishim.

Pastaj erdhi sëmundja...

Në 16 muaj ai vdiq. U ndjeva e humbur. Është një sëmundje e pabesë, nuk të lejon të flasësh, por mbetesh i kthjellët dhe i vetëdijshëm. Më fliste me sytë.

Çfarë ju thoshte?

Giancarla, shko në stadium edhe nëse je vetëm.” Ishte shtruar në spitalin San Carlo. Nga dritarja shihte San Siro-n dhe më tregonte me sy. “Ercole, t’i përpiqu të shërohesh, pastaj shkojmë bashkë. Pa ty humbas.” Ai donte që unë të vazhdoja të shkoja, edhe pse lotët i rridhnin nga dhimbja.

Nuk u kthye më kurrë në stadium?

Vetëm një herë. E nxorra fshehurazi.

Si e bëre?

U shtira sikur kishim një pagëzim për të marrë leje nga spitali. Ishte hera e fundit. Ishte aq i lumtur! Nuk mund të fliste, por sytë i shkëlqenin nga gëzimi.

Kthehet në San Siro... vetëm por me shpirtin e Ercoles pranë.

Pas vdekjes së tij nuk doja më të shkoja, por një ditë më telefonoi Ileana, sekretarja e Interit: ‘Duhet ta bësh, Ercole do të donte.’ Vitin tjetër mora sërish abonimin dhe vazhdoj ta rinovoj. Marr gjithmonë një foto të bashkëshortit me vete, që të jetë gjithmonë pranë meje. Nuk më ka lënë kurrë.

Idhujt e saj?

Zanetti dhe Façhetti. Edhe Mazzola, Suarez, Corso. Kam shkuar për vite te varri i Mariolino-s. Në shtëpi kam foto, objekte, postera të të gjitha sezoneve dhe lojtarëve. Duket si muze.

Tripleta e vitit 2010?

Një gëzim i jashtëzakonshëm. Mbaj mend mëngjesin pas finales. E veshur zikaltër dola nga shtëpia për të shkuar në fshatin tim. Në rrugë takova një grup të rinjsh që kishin festuar gjithë natën. U bashkova me ta dhe festuam bashkë për disa minuta.

Interi e ka nderuar...

E pabesueshme. Unë, një vajzë që dikur nuk kisha as këpucë për të veshur, u gjenda në San Siro me Zanettin dhe D’Ambrosion. Më shumë se 60 vjet së bashku. Them që Interi duhet të jetë krenar për mua.

Por tani nuk do ta rinovojë më abonimin...

“Vetëm për shkak të moshës. Nuk e braktis dot skuadrën. Ditët e fundit nuk jam ndier mirë, isha e trishtuar dhe kisha frikë se nuk do të kthehesha më në San Siro. Por do jem gjithmonë pranë Interit dhe do e ndjek me radiolino-n time.”

Radiolino?

Si kur isha e re dhe punoja si shërbyese. Në pushim shëtisja nëpër Milano me radion në vesh. Nuk mund të rri pa të. Gjatë pandemisë, kur ndeshjet ishin pa tifozë, shkoja në sheshin e San Siro-s dhe e dëgjoja me radiolino. Çfarë festimi kur Darmian shënoi golin e titullit ndaj Veronës!

Tani është radha për finalen e Champions League, e shtata për të...

Nuk e di nëse do ta shoh në TV. Ndoshta do të ec me radion në vesh dhe herë pas here do të hedh një sy nga televizioni. Kundër Barcelonës isha gati ta thyeja nga gëzimi. Sa bukur do të ishte po të ishte Ercolino im këtu për një ndeshje kaq të rëndësishme… Zot i madh… Por, në zemrën time, e di: Ai është këtu. Është me mua. Po bën tifo për Interin.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga