Në sezonin e tij të parë me Milanin si drejtor sportiv, Igli Tare ka impresionuar të gjithë me punën e bërë. Që prej ndikimit të menjëhershëm për të emëruar në stol Max Allegrin, tek telefonata që bindi Luka Modric të vishej kuqezi si dhe afrimin e lojtarit me origjinë shqiptare, Ardon Jashari në Milano, “dora” e Tares ka qenë vendimtare për ambiciet e kësaj skuadre që aspiron të rikthehet në Champions League.
Në pozita të qëndrueshme në kampionat, edhe pse rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin së fundmi, drejtori shqiptar ka shpjeguar gjithçka i ka ndodhur gjatë këtij kapitulli të rëndësishëm në karrierën e tij.
Fillimisht, Tare ka shprehur emocionet që ka ndjerë në momentin që hodhi “të zezën mbi të bardhë”, kur emërimi i tij nga “klubi i zemrës” u finalizua.
“Ishte dita më e bukur e jetës sime, kur nënshkrova për Milanin”, rrëfeu drejtori sportiv i Milanit, teksa u ndal po ashtu tek raportet me një legjendë si Ibrahimovic si dhe për një sulmues kalibri si Rafael Leao.
“Me Ibran jemi të dy ballkanas, ia themi gjërat njëri-tjetrit në sy. Sa për Leaon, ka një potencial të jashtëzakonshëm. Siç thotë dhe Modriç: Ai as që e ka kuptuar”, shtoi Tare.
Në fund, ish-lojtari i Kombëtares shqiptare zgjodhi ta përmbyll me filozofinë e një klubi si Milani.
“Duhet të kthehemi te fitoret, vetëm kështu mund të lëmë gjurmën tonë”, tha Tare.
