
Vetëm katër ditë pas finales së Champions League që kurorëzoi PSG-në e Luis Enriques, “Allianz Arena” në Mynih po përgatitet të presë një tjetër ngjarje të rëndësishme. Final Four i Ligës së Kombeve të UEFA-s fillon në Gjermani dhe sonte vendasit do të përballen me Portugalinë e Cristiano Ronaldos dhe Roberto Martinez në gjysmëfinalen e parë (tjetra do të luhet nesër midis Francës dhe Spanjës).
Një ndeshje që do të jetë gjithashtu një mundësi për CR7 për të treguar se është ende një lojtar vendimtar, duke pasur parasysh pasigurinë që rrethon të ardhmen e tij. Gjithçka tregon për një qëndrim të përhershëm në Al -Nassr, por ylli portugez ende nuk e ka rinovuar kontratën e tij, e cila skadon më 30 qershor, dhe tundimi për të luajtur në Kupën e Botës për Klube është ende aty.
Sigurisht, nuk ka mungesë ofertash për golashënuesin më të mirë në ligën saudite, i cili ka shënuar 35 gola në 41 ndeshje këtë sezon. Ronaldo pothuajse ka arritur shifrën e 100 golave në dy sezone e gjysmë me Al-Nassr dhe, pavarësisht se nuk ka fituar asnjë titull me ekipin e Riadit, ai po i afrohet gjithnjë e më shumë arritjes së 1,000 golave në karrierë (i mungojnë 63). Nga ana tjetër, sytë janë te Florian Wirtz.
Mesfushori ofensiv i talentuar gjerman është ende lojtar i Bayer Leverkusen, por gjërat mund të ndryshojnë së shpejti. Liverpooli e dëshiron atë dhe është i gatshëm të bëjë çmos, duke i vënë në dispozicion 125 milionë. Një shifër që konsiderohet e ulët nga “Aspirinat”, të cilët në vend të kësaj synojnë të rrumbullakosin shifrën dhe të kërkojnë 150 milionë euro.