
Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, kritikoi gjyqtarin sllovak, Ivan Kruzliak, pas humbjes 0-2 të skuadrës së tij ndaj Francës në ndeshjen për vendin e tretë në Ligën e Kombeve të UEFA-s të dielën në Stuttgart. Polemika filloi kur Karim Adeyemi u rrëzua nën presionin e portierit francez Mike Maignan, duke bërë që Kruzliak të akordonte një penallti.
Megjithatë, pas një shqyrtimi të gjatë të “VAR”-it, vendimi u përmbys dhe Adeyemi u ndëshkua me karton të verdhë për simulim. Ndërsa pranoi se nuk ishte penallti, Nagelsmann u frustrua nga kartoni i verdhë dhe mënyra se si u trajtua situata. “Nuk është penallti, por as nuk është zhytje”, i tha ai “DAZN”.
“Si arbitër, pas tetë minutash rishikimi të videos, mund të tregosh pak më shumë ndjeshmëri”. Më vonë gjatë ndeshjes, Deniz Undav dukej se kishte shënuar një gol barazimi për Gjermaninë, por VAR ndërhyri përsëri. Goli u anulua për një faull nga Niclas Fullkrug ndaj Adrien Rabiot, pasi gjyqtari fillimisht lejoi që loja të vazhdonte.
Ndërsa Nagelsmann pranoi se vendimi mund të shkonte në të dyja drejtimet, ai kritikoi ashpër mënyrën se si u zbatua protokolli “VAR”. “Mund ta kuptoj që ai dha një goditje dënimi, por kjo është prapëseprapë një shkelje e rregullit nga gjyqtari.
Ai qëndron dy metra larg, vlerëson skenën dhe thotë se nuk është faull. Pastaj del dhe e shikon për gjashtë minuta. Kjo e humbet plotësisht thelbin. Nuk është për këtë qëllim ‘VAR’. Nëse ai gjykoi se nuk ishte faull, atëherë nuk është një gabim i qartë dhe i dukshëm”, e mbylli Nagelsmann.