Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

BOTA

"Italianët të ndryshojnë stil loje", De Biasi "mahnitet" pas spektaklit Paris-Bayern: Shumë bukur që ndodh! Skandali me arbitrat? S'është shenjë e mirë për...

Shkruar nga NEWSPORT
"Italianët të ndryshojnë stil loje", De Biasi
Gianni De Biasi

Superdueli Paris-Bayern, skandali në Itali për arbitrimin dhe “zakonet” e vjetra të italianëve për formulën e fitoreve. Në këto tri tema është ndalur Gianni De Biasi në një intervistë të dhënë për Radio Napoli, ku ish-trajneri i Kombëtares Shqiptare ka thënë fije e për pe atë se çfarë mendon për zhvillimet e ditëve të fundit.

Sa i takon spektaklit në “Parc des Princes”, De Biasi shprehu fjalët më të mëdha për dy skuadra të jashtëzakonshme dhe se në një nivel si Champions League ka të bëjë shumë mentaliteti.

“Nëse ke një mentalitet krejt ndryshe dhe i investon ato në mënyrën se si luan, madje duke ndërmarrë risqe, ti krijon emocione që ndikojnë në mënyrën se si ne e vlerësojmë futbollin. Paris dhe Bayern shohin gjithmonë si të ndërtojnë dhe finalizojnë aksione, duke mos u fokusuar shumë në linjën e mbrojtjes. Me këto cilësi, është krejtësisht normale të shohësh ndeshje të tilla dhe shumë bukur që ndodh. Atë natë pashë diçka që s’e kisha ndeshur kurrë më parë në një kohë të gjatë”, rrëfeu ish-trajneri.

I pyetur se përse një stil i tillë nuk “ngjit” te skuadrat italiane, ish-tekniku kuqezi u tregua i sinqertë.

“Është në mentalitetin tonë, disa do preferonin të fitonin 1-0 sesa të pësonin 4. Jam përpjekur ta shmang këtë ‘klishe’. Futbolli ka ndryshuar, s’mund të ngecësh në një filozofi që daton 30 vjet më parë. Problemi në Itali qëndron i gjithi te mentaliteti, mjafton rezultati”, sqaroi 69-vjeçari.

Në fund, një mendim “sade” dhe për atë se çfarë po ndodh në kampionatin italian, ku akuzat rëndojnë mbi skandalin e arbitrimit.

“S’dua të paragjykoj. Shpresoj që gjithçka të zgjidhet shumë shpejt. Duhet të lëmë pas këtë periudhë të errët të cilën askush s’e pëlqen. Nëse do konfirmoheshin këto dinamika, do të bëhej serioze dhe padyshim s’do jepte shenjë të mirë për futbollin”, përfundoi De Biasi.

Poll

Lexo gjithashtu