
E ardhmja e Gianluigi Donnarumma te Paris Saint-Germain është aktualisht e pasigurt, me Interin që ka shprehur interes për të sjellë portierin italian në vendlindje.
Kontrata e Donnarumma me PSG-në është deri në qershor 2026, por bisedimet për rinovimin janë bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve për pagat, ndërsa “Sportmediaset” raportoi sot se agjenti i tij është parë në zyrat e Interit.
Parisi ngurron të përmbushë kërkesën e Donnarumma-s për një pagë vjetore prej 10 milionë eurosh, gjë që ka rritur spekulimet se ai mund të largohet. Interi e sheh këtë situatë si një mundësi për ta rikthyer Donnarumma-n në Serie A.
Klubi tashmë ka kontaktuar përfaqësuesit e tij dhe po shqyrton një transferim, veçanërisht nëse ai bëhet i disponueshëm si agjent i lirë. Agjenti i Donnarumma-s, Enzo Raiola, ka thënë për thashethemet që e lidhin atë me Interin: “Nuk po përjashtojmë asgjë për momentin”.