Në ndeshjen e javës së 17-të të Superiores me Flamurtarit pritës dhe Teutës, e përfunduar 2 – 2, në pjesën e dytë, tifozët vlonjatë u futën në fushë dhe tentuan përleshjen me lojtarët e Teutës. U nevojit ndihma e policisë për të vendosur qetësin. Klubi i Flamurtarit ka dalë më njoftim zyrtare ditën e sotme:
“Deklaratë Zyrtare! Flamurtari Football Club shpreh keqardhjen e thellë për incidentin e ndodhur gjatë takimit në Vlorë, ku disa individë hynë në fushën e lojës dhe u përfshinë në përplasje, duke cenuar normalitetin dhe sigurinë e aktivitetit sportiv.
Ne distancohemi qartësisht nga çdo formë dhune dhe sjellje që dëmton dinjitetin e sportit, imazhin e Flamurtarit dhe emrin e qytetit të Vlorës. Këto veprime nuk përfaqësojnë vlerat e klubit dhe të qytetit tonë.
Theksojmë se shumica dërrmuese e tifozëve tanë e mbështesin ekipin me pasion dhe qytetari, një pasion që ne e vlerësojmë dhe e konsiderojmë forcë të Flamurtarit.
Klubi do të bashkëpunojë plotësisht me Policinë e Shtetit dhe autoritetet përkatëse për identifikimin e përgjegjësve dhe sqarimin e plotë të ngjarjes, duke vënë në dispozicion çdo informacion të nevojshëm.
Paralelisht, do të intensifikojmë punën dhe komunikimin me tifozët dhe grupimet e tyre, në mënyrë që mbështetja për Flamurtarin të jetë e fortë, por gjithmonë brenda respektit dhe rregullave, duke shmangur përsëritjen e episodeve të tilla në të ardhmen”.
