Abissnet Superiore do të nisë sezonin 2026-2027 më 22 gusht, por këtë herë me një format tërësisht të ri. Pas konsultimeve me klubet e elitës së futbollit shqiptar, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit vendosi të ndryshojë skemën e kampionatit, duke i dhënë fund edhe formulës së Final 4, e cila u aplikua për tre sezone.
FSHF TV sjell një reportazh të detajuar mbi mënyrën se si do të funksionojë skema e re, por dhe përshtypjet e para të aktorëve të nsdryshëm të futbollit, për pritshmëritë që ata kanë mbi këtë risi.
“Kampionati do të zhvillohet në tre faza të rregullta. Pas përfundimit të 27 javëve, pikët e grumbulluara nga ekipet do të përgjysmohen dhe skuadrat do të ndahen në dy faza.
Faza e parë është “Play-Off”, ku gjashtë ekipet e para do të zhvillojnë ndeshje me sistem vajtje-ardhje, në total 10 javë garimi.
Faza e dytë është “Play-Out”, ku do të marrin pjesë katër ekipet e fundit, nga vendi i shtatë deri në vendin e dhjetë. Këto skuadra do të zhvillojnë ndeshje me sistemin vajtje-ardhje-vajtje, në total 9 javë garimi.
Gjithashtu, vlen të theksohet se në sezonin 2026-2027, ekipi i renditur i fundit në fazën “Play-Out”, pra skuadra e vendit të dhjetë, do të bjerë automatikisht nga Kategoria Superiore. Ndërsa ekipi i parafundit i “Play-Out”, ai i vendit të nëntë, do të zhvillojë një ndeshje me humbësin e finales së “Play-Off”-it të Kategorisë së Parë”, tregon Marjus Sulejmani, shefi i garave në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Ndryshimi konsiderohet si një nga reformat më të rëndësishme të viteve të fundit, me synimin për të rritur konkurrencën, rivalitetin dhe interesin për elitën e futbollit shqiptar.
“Këtë vit është një risi. Siç e dini, ekipi i renditur i pari në kampionat, pas fazës “Play-Off”, siguron pjesëmarrjen direkt në Champions League. Sa i përket Conference League, fituesi i Kupës së Shqipërisë kualifikohet gjithashtu në këtë kompeticion, ndërsa vendi i dytë në kampionat siguron gjithashtu një vend në Ligën e Konferencës. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë sezon është ndryshuar rregullorja. Në rast se Kupa e Shqipërisë fitohet nga një prej tri skuadrave të para të renditjes, atëherë vendi i katërt do të zhvillojë një ndeshje gjysmëfinale me ekipin e renditur i pari në fazën “Play-Out”, pra me skuadrën e vendit të shtatë. Gjithashtu, vendi i pestë dhe vendi i gjashtë do të përballen mes tyre në gjysmëfinalen tjetër. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në fushën e ekipit të renditur më lart në kampionat. Do të zhvillohen dy gjysmëfinale dhe ekipet e renditura më mirë janë të favorizuara, pasi në rast barazimi kualifikohen automatikisht në finalen e “Play-Off”-it. Ndeshja finale do të luhet në një stadium që do të përcaktohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në rast barazimi në finale, do të luhen dy kohë shtesë dhe, nëse ende nuk ka fitues, skuadrat do t’i drejtohen goditjeve të penalltive. Fituesi i kësaj finaleje do të sigurojë pjesëmarrjen në Conference League”, shprehet Sulejmani, për garën për Europë.
Suksesi i çdo reforme do të matet me rezultatet që ajo do të prodhojë. Më shumë konkurrencë, më shumë besueshmëri dhe një kampionat më cilësor janë objektivat e deklaruara. Por përgjigjen përfundimtare do ta japë fusha.
“Klubet tona nuk luajnë vetëm për trofe. Objektivi madhor i tyre është të sigurojnë pjesëmarrjen në Europë. Dalja në Europë është një shpëtim financiar, sado modest që të jetë. Më pas, nëse arrin të kalosh një ose dy ture, praktikisht e ke shpëtuar sezonin. Fakti që tani e tutje do të ketë një ndryshim në këtë aspekt, ku fituesi i Kupës do të shkojë në Europë, por pa u ‘djegur’ vendi i katërt, pasi do të ketë ndeshje shtesë për të përcaktuar një vend në Conference League, mendoj se është një hap gjigant përpara.
Edhe skuadra më e suksesshme e pjesës së poshtme të renditjes do të ketë një motiv më shumë për të dalë e para në atë gjashtëshen e dytë dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Praktikisht, një ekip do të ketë mundësinë të luftojë për një vend në Europë edhe nëse nuk e mbyll kampionatin në gjashtëshen e parë. Për mendimin tim, kjo është një risi fantastike, e cila do t’i mbajë skuadrat të angazhuara dhe konkurruese deri në javën e fundit”, analizon gazetari Blerim Jahaj.
Ndryshimi nuk do të vijë menjëherë në formën e tij përfundimtare. Sezoni 2026-2027 do të shërbejë si një vit tranzicioni, përpara se skema e re të konsolidohet plotësisht në edicionin pasardhës.
”Për sa i përket skemës, mendoj se ka mundësi që skuadrat të luajnë deri në fund me objektiva madhorë, secila sipas investimeve dhe projekteve buxhetore që kanë. Besoj se ekipet që do të kenë një grup solid lojtarësh, jo vetëm për të përballuar kampionatin nga ana e ngarkesës fizike, por edhe për nga cilësia, mund të përballojnë brenda një kampionati dy gara. Një garë për të zënë gjashtëshen e parë dhe një garë tjetër mes gjashtë ekipeve të tjera, të cilat do të luajnë gjithashtu me sistemin vajtje-ardhje. Kjo do të krijojë një minikampionati më vete, por që në fakt është pjesë e vijimit dhe mbylljes së gjithë garës”, tha trajneri i Egnatias, Nevil Dede.
Pritshmëritë janë që ky model i ri do të sjellë më shumë rivalitet në të gjitha objektivat e kampionatit, nga gara për titullin deri te mbijetesa. ”Shpresoj që numri i tifozëve nëpër stadiume të rritet. Sa më shumë garë të drejtë të shohin, aq më shumë do të vijnë në stadium. Ndoshta ardhja në Tiranë për “Final 4” e penalizoi pak skuadrën, pasi ekipe si Egnatia, Vllaznia dhe Elbasani vinin nga jashtë Tiranës dhe tifozëve u nevojiteshin shpenzime shtesë. Ajo që pamë nuk ishte numri që ne prisnim të shihnim në “Final 4”.
Ndërkohë, ndeshjet finale tani do të luhen në shtëpinë e skuadrës, dhe kjo do të jetë një plus për çdo ekip që do të marrë pjesë në këto finale”, theksoi drejtori sportiv i Elbasanit, Elton Guranjaku.
Për herë të parë në futbollin shqiptar do të aplikohet një skemë e tillë, e cila pritet të sjellë një tjetër dinamikë në zhvillimin e kampionatit. Pritshmëritë janë që çdo ndeshje të ketë më shumë peshë dhe gara të mbetet e hapur deri në fund.
Reportazhin e plotë për Skemën e re të Abissnet Superiore keni mundësi për ta ndjekur në FSHF TV dhe në kanalin tonë zyrtar në YouTube.
