Elbasani do të përballet me BATE Borisov të martën në orën 20:00, në ndeshjen e parë të vlefshme për kualifikueset e Conference League. Kjo sfidë do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” dhe për verdheblutë do të jetë një shans i mirë duke shfrytëzuar faktorin fushë për të marrë një rezultat pozitiv.
Në prag të këtij dueli të parë europian që kulmon dhe me rikthimin në këtë “skenë” të Elbasanit pas 20 vitesh, ka folur trajneri i skuadrës, Ivan Gvozdenovic.
Situata brenda Elbasanit? Janë larguar 12 lojtarë nga skuadra, por kjo është situata. Nuk mund të flasim shumë pse, sepse nesër kemi një ndeshje shumë të rëndësishme dhe jemi të fokusuar veëm te BATE Borisov.
Gjendja e lojtarëve dhe përgatitja? Lojtarët janë gati, edhe ju do e shihni nesër. Patjetër, kishim nevojë ndoshta për një javë më shumë në fazën përgatitore, por e thashë nga fillimi, kjo është situata. Mendoj se kemi një skuadër të mirë, lojtarë me eksperiencë dhe jam i sigurt që ata e dinë se si do ruajnë forcat deri në minutat e fundit apo në të 95-tën, varet nga shtesa.
Mundësitë për kualifikim? Kemi dy ndeshje dhe pastaj atë me datë 16. Jam i sigurt që nuk varet gjithçka nesër. Gjithçka do të shkojë e hapur. Patjetër, do provojmë të gjitha në fushë apo të bëjmë një rezultat pozitiv.
BATE Borisov? Përballë kemi një skuadër të mirë, një emër të madh. Ata kanë më shumë eksperiencë dhe jam i sigurt që kanë një motivim tjetër për nesër. Kampionati dhe Europa nuk janë kompeticione të njëjta dhe jam i sigurt që BATE do të luftojë shumë fort në fushë.
Nëse sigurohet kualifikimi? Do ishte një dhuratë shumë e mirë për ne, tifozët, qytetin e lojtarët. Do ishte shumë e bukur.
