
Vllaznia arriti të mposhtë Partizanin mbrëmjen e sotme me rezultatin e thellë 4-1. Në përfundimin e takimit, trajneri i Partizanit, Mladen Milinkovic doli në prononcim për mediat.
“Fillimisht uroj Vllazninë për këtë fitore. Së dyti i kërkoj falje të gjithë tifozëve për këtë rezultat. Patjetër që është një gjë jo e mirë për ne, kemi shënuar një gol për 3 ndeshje dhe për 5 minuta shkatërruam të gjithë ndeshjen. E kuptoj që nuk është gjë e mirë për futbollistët të pësojnë gola në fund të ndeshjes, por kjo nuk do të thotë të lëshë ndeshjen.
Kishim shumë raste për të shënuar, Hoxha ishte deçiziv dhe na shpëtoi. Pengu më i madh ishte se shënuan në rastet që ne i prinsim. E dinim mënyrën sesi ata do të luanin, por jo formacionin që do të dilte në fushë. Nga çdo tranzicion ata ishin shumë të rrezikshëm dhe ne e dinim pasi kanë lojtarë me cilësi.
Sa i përket pjesës së menaxhimit, kishim mundësi ta bënim 2-0 dhe në momentin që nuk shënon nga një situatë e pastër, ekipi bie psikologjikisht. Patjetër që pas ndeshjes do të analizojmë dhe jo vetëm ndeshjen, por edhe punën time”, shprehet Milinkovic.