Gëzim Krasniqi ka vendosur të “var këpucët në gozhdë”. Ish-mbrojtësi kavajas përmes një “story” në rrjetin social “Instagram”, ka ndarë mesazhin e “lamtumirës” nga futbolli si profesionist.
“Pas 16-17 vitesh në futbollin profesionsit, unë kam vendosur të mbyll një kapitull të rëndësishëm të jetës sime. Një rrugëtim i ndërtuar mbi disiplinë, përkushtim dhe respekt për lojën. Mirënjohje ndaj çdo klubi, Presidenti, trajneri, bashkëlojtari dhe tifozi që ka qenë pjesë e kësaj rruge”, mesazhi i Gëzim Krasniqit.
Por interesante është se krahas fjalëve të ndjera, në sfond mbiztërojnë fotot e 36-vjeçarit me fanelën e Partizanit, me të cilët ai ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
Krasniqi është “produkt” i skuadrës së Besës, ndërsa më pas ka vijuar te Partizani, Flamurtari, Rabotnicki (Maqedonia e Veriut), Kukësi, Egnatia, Erzeni, Bylis, Kastrioti, Vushtrria dhe së fundmi Iliria e Fushë-Krujës.
Në këtë periudhë të gjatë futbollistike, Gëzim Krasniqi ka fituar 2 trofe, Kupën e Shqipërisë me Kukësin dhe Kategrorinë e Parë te Egnatia.
