
Kategoria Superiore mbylli një edicion fantastik pak ditë më parë, ku Egnatia u shpall për të dytën herë kampione e Shqipërisë duke mposhtur në finale Vllazninë. Gjysmëfinalet e “Final 4” i prekën dhe Partizani e Dinamo, por pa arritur dot të shkojnë më larg.
Dy skuadrat që nuk ia dolën dot të qëndrojën në elitën e futbollit shqiptar ishin Laçi dhe Skënderbeu që ranë nga kategoria. Ndërsa Tirana, Bylisi, Teuta dhe Elbasani qëndruan në Superiore. Newsport.al si çdo herë në përfundimin e sezonit, ka përzgjedhur 11-shen më të mirë të Superiores për sezonin 2024-2025.
Mario Dajsinani (Laçi/Egnatia): Portieri 26-vjeçar u ambientua shumë shpejt në Rrogozhinë pas largimit nga klubi kurbinas. Pritjet deçizive dhe paraqitja e mirë e Dajsinanit, ishte një prej “çelësve” që Egnatia u shpall kampione këtë sezon.
Lorran (Dinamo): Një mbrojtës dhe lojtar i heshtur në personalitet, por jo brenda fushës së lojës. Një titullar absolut i Dinamos këtë sezon, Lorran mbajti krahun e majtë të mbrojtjes kryeqytetase solide këtë sezon, por edhe duke i ardhur në ndihmë pjesës ofensive.
Naser Aliji (Dinamo): Kualiteti i tij është vënë re dhe në Kombëtaren shqiptare, por edhe këtë sezon në Superiore. Naser Aliji ishte një prej protagonistëve të Dinamos këtë sezon, duke fituar Kupën e Shqipërisë dhe duke prekur gjysmëfinalet e “Final 4”.
Arbenit Xhemajli (Egnatia): Paraqitja solide e tij ishte një nga avanatazhet më të mëdha që Egnatia triumfoi në Superiore. Arbënit Xhemjali një prej “arkitektëve” të mbrojtjes jeshile në vetëm dy sezone në Rrogozhinë.
Agan Mjaki (Laçi): Sezon i pafat për krubinasit ky që lamë pas, por jo për mbrojtësin Agan Mjaki. Me 5 gola të shënuar dhe 3 asistime, 22-vjeçari udhëhoqi skuadrën e Laçit, por për fat të keq nuk e shmangën dot rënien nga Kategoria.
Ardit Krymi (Vllaznia): Edhe pse disa kohë ishte i dëmtuar, mungesa e tij u ndje dhe Vllaznia pati probleme. Me rikthimin e Krymit jo vetëm që shkodranët rimorën veten, por edhe shkuan shumë pranë titullit. 29-vjeçari bëri disa ndeshje edhe në rolin e qendërmbrojtësit duke ndihmuar Vllazninë në të dyja fazat.
Albano Aleksi (Egnatia): “Truri” i mesfushës së rrogozhinasve. Albano Aleksi tregoi edhe këtë sezon që është një prej mesfushorëve më të mirë ndër vite në Superiore, duke e dëshmuar këtë edhe në fitimin e titullit kampion në Shqipëri.
Regi Lushkja (Egnatia): Pozicionohet si fantazist në fushën e lojës, por statistikat e konsiderojnë edhe një bomber gjithashtu. Regi Lushkja udhëhoqi rrogozhinasit drejt titullit të dytë kampion radhazi me 16 gola, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve.
Baton Zabërgja (Dinamo): Një sulmues anësor që dribloi këdo mbrojtës që i doli përpara, duke dhuruar spektakël këtë sezon në Superiore. Baton Zabërgja arriti të shënojë 12 gola në Superiore dhe 3 në Kupën e Shqipërisë, të cilën e ngriti në qiell me Dinamon duke përfunduar një sezon fantastik edhe individualisht.
Itodo Mandela (Dinamo): Bashkëpunëtori i djaloshit të mësipërm. Itodo Mandela realizoi një sezon fantastik me Dinamon, duke arritur të shënojë 12 here në Superiore dhe plot 8 herë në Kupën e Shqipërisë. Sezoni i tij i parë me dinamovitët, por luajti sikur të kishte një jetë në atë ekip.
Bekim Balaj (Vllaznia): Dhe në fund, bomberi dhe lideri i klubit shkodran. 20 gola sezonal, 19 në Superiore dhe 1 në Kupë, e bëjnë Bekim Balajn si golashënuesin më të mirë në Shqipëri këtë sezon në kampionat. Sulmuesi shkodran nuk mundi dot të vinte “qershinë mbi tortë” me Vllazninë, titullin kampion që e humbën në finale.
Trajneri i Vitit Edlir Tetova (Egnatia): Rrogozhinasit arritën të kurorëzoheshin për të dytën herë radhazi këtë sezon si kampionë të Shqipërisë. Meritori më i madh i kësaj mrekullie në një qytezë të vogël është padyshim strategu, Edlir Tetova.
