
Vllaznia ka triumfuar në transfertë përballë Bylisit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 7-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, përfundoi me shifrat 0-1. Pas këtij dueli për RTSH ka folur trajneri fitues, Edi Martini.
“E filluam mirë, kishim raste 2-3 herë për të shënuar, një gol na e anuluan. Ballshi bëri një pjesë të dytë shumë të mirë, më të mirë se ne. Megjithatë vlejnë 3 pikët, pasi është fushë e vështirë për të marrë fitoren, gjithkush e ka të vështirë.
Ne kishim llogaritur nga të dy krahët të merrnim masat. Edhe tek goli i anulluar, krosimi erdhi nga e djathta. Të dy krahët i kemi afër portës. Por Kastrati dhe Yago harxhuan shumë energji në pjesën e parë. Por 5 mungesa janë shumë. Ndërrimet i bëmë vonë, kishim djem të ri, që në një ndeshje të tensionuar dhe duhen pikë, ngarkesa për të është e madhe. 5 titullarë që mungonin, janë shumë.
Varet si shkon topi te Balaj. Varet nga ekipi. Me mbrojtësit e krahut ne luajmë shpesh. Balaj është pikë referimi dhe marrim thellësinë me mesfushorët dhe lojtarët e krahut. Është një lojë që bëjmë çdo ditë, nuk e kisha planifikuar.
Terreni i rënduar? Edhe kjo, por edhe mungesat na ndikuan. Terreni ishte i rëndë dhe i vështirë. Në pjesën e dytë na fituan topat e parë dhe të dytë, kur duhej të ishim më këmbëngulës”, tha Martini.