
Dinamo dhe Bylisi u ndalën në barazim ditën e sotme pa gola në javën e 4-t të Superiores. Në përfundimin e këtij takimi, trajneri i Dinamos Ilir Daja doli në prononcim për mediat.
“Për ta filluar që nga pjesa e parë, ishim të detyruar të bënim rrotacion. Rezultoi që Maliqi i vetëm ishte pozitiv, ishin lojtarë të rinj ata që futëm. Në pjesën e parë u munduam të kontrollonim lojën dhe të mos pësonim. Në të dytën, ajo që mungoi nuk ishte as manovra as futjet në thellësi, por finalizimi.
Si në ndeshjen me Teutën, sot kishim edhe më shumë raste. Ajo çfarë na mungon është të shtyjmë topin në rrjetë. Edhe vitin e kaluar ishim në të njëjtën situatë sepse në katër javë kishim 4 pikë. I provuam të gjitha, ajo që mungoi sot në superioritet numerik ishte të shtynim topin në rrjetë. Guindo nuk është se s’po luan ngaqë nuk po bën mirë, por ka një tërheqje muskulare. Nuk e kisha që të shënonte vetëm Guindo.
Përsa i përket pjesës së sulmit, aty ku sot në pjesën e parë kishim probleme në të dyja krahët një kundër një. Lojtarët e rinj në moshë duhet që t’i punojmë ne në stërvitje, që kur të vijnë në ndeshje të mos gabojnë para portës. Shumë prej tyre kanë ardhur vonë.
Duke besuar tek cilësitë e tyre, mund të kemi një tjetër panoramë në ndeshjet e ardhshme. U detyruam të bënim rotacion në këtë ndeshje për shkak të ngjeshjeve të ndeshjeve. Ndaj luajtën lojtarë të rinj që në fillim ”, u shpreh Daja.