Federata Shqiptare e Futbollit, prezantoi në “Shtëpine e Futbollit”, rezultatet e një studimi tepër të rëndësishëm të hartuar nga UEFA dhe “Nielsen Sport”, ku fokusi ka të bëjë me zhvillimin e futbollit dhe perceptimin e këtij sporti nga publiku shqiptar, sikurse orientimi për strategji të reja. Studimi titullohet “UEFA Grow Market Research”, ndërsa dha më shumë detaje presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
“Dua t’ju falënderojë të gjithë për pjesëmarrjen. Kryesisht përfaqësuesit e UEFA-s dhe të kompanisë ‘Nielsen Sport’ për pjesëmarrjen e punë e bërë në këtë kërkim, në lidhje me të dhënat për futbollin në Shqipëri.
Padyshim, dua të falënderojë UEFA-n për gjithë mbështetjen që i jep Federatës Shqiptare të Futbollit, jo vetëm me projekte, por edhe me studime të tjera, të cilat na ndihmojnë neve për të ndërtuar më mirë strategjinë e zhvillimit të futbollit apo për të pasur parasysh prioritet që ne duhet të kemi në rrugën tonë për të realizuar objektivat dhe për ta bërë futbollin sa më atraktiv, sa më të bukur dhe sa më lider në vendin tonë.
Gjetjet e kërkimit të ekipit janë vërtetë impresionuese, sepse Shqipëria renditet vendi i parë në Evropë për interesin te futbolli me 78% të njërëzve që kanë interes. Me një rritje nga vitit 2016, nga 65% që ishte, tashmë ka shkuar në 78% apo shumë mbi mestaren Evropiane që është 48.
Ky është lajm i mirë. Në të njëjtën kohë obligim, sepse Federata e Futbollit duhet të punojë shumë më shumë për t’i kënaqur pritshmërit e tifozëve dhe për t’i realizuar dëshirat e tyre. Futbolli është sporti më i ushtruar dhe më i luajturi këtu në Shqipëri, me 34% të të rritur që merren me sport dhe 41% të fëmijëve.
Këto të dhëna, kanë ardhur edhe falë projekteve nga Federata Shqiptare e Futbollit, sikurse ndryshimeve në infrastrukturë. Të gjitha këto gjetje të këtij materiali, padyshim do të jenë akoma më shumë busull për ne dhe për të ardhmen.
Dua të garantojë të gjithë ata që kanë interes për futbollin, se Federata do të ketë si objektiv ta përmirësojë akoma më shumë punën e saj, megjithëse në bazë të kërkimeve, imazhi i Federatës ka ndryshuar në krahasim me vitin 2016-të, me 5 pikë % më shumë. Sot është me 52% pozitivitet. E thashë edhe njëherë, këto shifra do të jenë busull për ne në përmirësimin e futbollit në vend”.
