
Federata Ndërkombëtare e Basketbollit ka nisur hetimet për thirrjet anti-shqiptare që u bënë para pak ditësh në mes të Kumanovës, gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Hetimi tashmë ka nisur dhe po mblidhen të gjitha raportet dhe deklaratat përkatëse. FIBA dënon pa rezerva dhe me vendosmëri gjuhën e urrejtjes dhe çdo formë diskriminimi.
“Në këtë fazë, jemi duke mbledhur raportet dhe deklaratat përkatëse, duke punuar në përputhje të ngushtë me federatat kombëtare të përfshira, si dhe me autoritetet lokale dhe forcat e rendit. Ne promovojmë në mënyrë aktive krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës dhe me respekt për të gjithë lojtarët, ekipet dhe tifozët, si një përparësi kryesore në sport”, ka deklaruar FIBA.
Kujtojmë se në stadium për të parë ndeshjen e basketbollit kanë qenë të pranishëm edhe drejtues të lartë të shtetit. Sharjet dhe koret anti-shqiptare kanë ndodhur para kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrit të Jashtëm Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç. Një pjesë e tifozëve në tribunë lëshuan thirrje anti-shqiptare, pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet.
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër” – ishte një nga refrenët që u dëgjua qartë gjatë sfidës, sipas raportimeve nga media lokale.
Por nuk përfundoi me kaq. Skandali vazhdoi edhe me thirrje të rënda si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, duke rikthyer historinë e errëta. Tashmë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim dhe çfarë do të vendoset për tifozët.