
Ballkani nuk ia ka dalë të marrë pikën në ndeshjen përballë Astanës. Në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kazakët fituan me rezultatin 1-2.
Pas kësaj ndeshje, për mikrofonat e SuperSport foli mbrojtësi i djathtë i Ballkanit, Armend Thaqi.
“Ndoshta të gjithë kanë menduar se do ta mposhtim shumë lehtë Astanën, me atë rezultat që morëm edhe me Dinamon. Mirëpo ne kemi qenë të vetëdijshëm që Astana edhe pse nuk kishte fituar asnjë ndeshje është një kundërshtar shumë i fortë. Sidomos në fazën defensive ishin shumë në numër edhe ishte shumë e vështirë për t’i thyer. E nisëm keq ndeshjen, pësuam gol, e rikthyem sërish barazimin, mirëpo me gabimet tona pësuam golin e dytë. Pastaj u munduam deri në fund, patëm raste për të barazuar ndeshjen, por nuk arritëm t’i shfrytëzojmë, t’i konkretizojmë dhe e humbëm ndeshjen. Është diçka që ndodh në futboll, megjithatë është diçka që po na përsëritet njësoj si vitin e kaluar, por nuk duhet të dorëzohemi. Shpresoj që këto pikë që po i lëmë këtu, t’i rikuperojmë në ndeshjet e ardhshme”, u shpreh Thaqi.