
Tenistja tuniziane Ons Jabeur, tri herë finaliste e Grand Slam-it, ka vendosur të tërhiqet përkohësisht nga garat, duke e bërë këtë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale. 30-vjeçarja tha se ka nevojë të fokusohet te vetja pas një periudhe të vështirë në fushë.
Jabeur, e para grua arabe që ka arritur një finale Grand Slam-i, nuk ka kaluar dot më shumë se raundi i tretë në asnjë turne madhor këtë vit. Ajo u detyrua të tërhiqej nga raundi i parë i Wimbledon-it muajin e kaluar, për shkak të problemeve shëndetësore gjatë ndeshjes me Viktoriya Tomova.
Thank you for your support ????????❤️ pic.twitter.com/AiffrjDzU0
— Ons Jabeur (@Ons_Jabeur) July 17, 2025
Ish-numri dy në botë vuan nga astma dhe pati vështirësi në frymëmarrje edhe në Australian Open këtë vit. Ajo u shpreh se, megjithëse ka luftuar me shumë përkushtim, nuk ka ndjerë vërtet lumturinë në fushë kohët e fundit.
“Të luash tenis është një bekim, por tani ndihem se duhet të marr një hap pas, të shërohem dhe të rigjej gëzimin e jetës", shkruan ndër të tjera Jabeur. Ajo shtoi se dëshiron gjithashtu të krijojë familje dhe falënderoi tifozët për mbështetjen.