
Shpëtim Duro është një nga trajnerët më të kërkuar nga ekipet shqiptare. Malisheva e cila ka mbetur pa trajner pas largimit të Bekim Isufit, po synon ish-in e Superiores.
Duro ka folur për kontaktet dhe bisedimet me skuadrën nga Superliga e Kosovës, ku ka pranuar se janë takuar me drejtuesit e ekipit nga Malisheva. Në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic” ka bërë të ditur se skuadra dhe projekti i pëlqen shumë, por për arsye familjare nuk mund të pranojë ofertën e tyre.
“Jemi takuar para dy ditësh në Tiranë me kryetarin dhe drejtorin. Takimi ishte shumë korrekt me ta, dëshira është e madhe nga ta, por dhe nga unë, sepse skuadra më pelqen.
Momentalisht për arsye familjare nuk mund të largohem, ia kam dhënë përgjigjen klubit. Malisheva ka gjithë respektin tim, por edhe e kanë të qartë situatën time”, ka theksuar 65-vjeçari.
Siç dihet timonieri kryeqytetas aktualisht është pa një ekip dhe skuara e fundit që ka drejtuar është Suhareka. Karriera e tij është mjaft e pasur, teksa ka drejtuar ekipe si Partizani, Besa, Vllaznia, Shkëndija, Drita, Kukësi, Lazi, Egnatia dhe Struga.