
Jo vetëm Armend Thaqi, nga Ballkani do të largohet edhe kapiteni, Edvin Kuç. Mesfushori i skuadrës shqiptare ka konfirmuar që do të largohet nga Ballkani menjëherë pas finales së Kupës, të cilën ekipi i Ilir Dajës e fitoi ndaj Prishtinës.
Edvin Kuç do të largohet nga Kosova për të vazhduar karrierën në Azerbajxhan. 30-vjeçari do të bashkohet me ekipin e njohur Neftchi Baku. Gjithashtu, mesfushori u shpreh se po largohet i lumtur nga Ballkani, pasi ka fituar gjithçka.
“Kur kam ardhur në fillim, jo vetëm në Suharekë, por e gjithë Kosova më ka përkrahur shumë. E kam ndierë veten si në shtëpi. Vitin e parë i kam humbur të gjitha, ndërsa tani po largohem duke i fituar të gjitha. Falënderoj të gjithë në Suharekë, falënderoj familjen Kabashi, familjen Maksutaj, trajnerët, bashkëlojtarët, por ka ardhur koha të largohem. Karrierën do ta vazhdoj në Azerbajxhan, te skuadra e Neftchi Bakusë”, tha Kuç pas finales së Kupës së Kosovës.
Kujtojmë që u bë pjesë e Ballkanit në vitin 2019. Që nga momenti kur veshi fanellën e ekipit nga Theranda, Kuç ka arritur të shënojë 21 gola dhe dhuruar 9 asistime në 196 paraqitje të tijat me Ballkanin.