Orges Shehi ka folur për herë të parë pasi mori drejtimin e Prishtinës. Ish-trajneri i Tiranës ka treguar arsyet e nisjes kaq herët të fazës përgatitore, ndërsa thekson se objektivat do të jenë madhorë, sepse klubi i Prishtinës ka një histori të suksesshme.
“Sigurisht që dita e parë shërben për njohjen e trajnerit me lojtarët, pra me grupin, të paktën prezantimin. Sepse për t’u njohur duhet ende kohë që të njihemi me njëri tjetëri. Kështu që, pashë njerëz që janë entuziastë. E kemi filluar, mendoj se pak shpejt. Por për këtë arsye e kemi afruar fillimin e fazës përgatitore, për të qenë sa më afër dhe për t’u njohur sa më shpejt me skuadrën dhe me njëri-tjetrin.
Jam pjesë e një skuadre të madhe, me histori. Pavarësisht se nuk u pozicionua aty ku duhet, sidomos vjet. Por jemi me të njëjtin mendim, të njëjtin objektiv, të njëjtën dëshirë dhe të njëjtin optimizëm për t’u renditur sa më lart, për të kapur majat. Ky klub kërkon të jetë gjithmonë aty ku i takon, edhe për shkak të historisë”, ka thënë Shehi.
